Ballina Ekonomia Profesionet më të kërkuara në tregun e punës: ekonomistët, kamarierët dhe punonjësit...

Profesionet më të kërkuara në tregun e punës: ekonomistët, kamarierët dhe punonjësit e pastrimit kryesojnë listat

22
0

Tregu i punës në Shqipëri po paraqet një tablo të qartë të kërkesës së lartë për role specifike, si në nivelin e punonjësve me arsim të lartë, në atë me arsim të mesëm, ashtu edhe në segmentin e profesioneve pa kërkesë të posaçme arsimore. Të dhënat e Observatorit të Informacionit të Tregut të Punës, bazuar në aplikimet në portalin zyrtar puna.gov.al për periudhën 15 shtator – 15 nëntor, tregojnë një përqendrim të fortë të kërkesës në disa profesione kyçe që reflektojnë tendencat e ekonomisë shqiptare.

Profesionet me arsim të lartë: dominon ekonomisti

Në kategorinë e punonjësve me arsim të lartë, sektori privat paraqet kërkesë të dukshme për ekspertizë ekonomike dhe menaxheriale. Ekonomistët janë profesioni më i kërkuar në rang vendi, ndjekur nga menaxherët, duke reflektuar rritjen e sektorit financiar, rritjen e ndërmarrjeve private dhe nevojën për aftësi të forta në administrimin e proceseve të biznesit.

Profesionet e teknologjisë zënë vend të rëndësishëm, me zhvilluesit e softuerit në vendin e katërt, dhe gjithnjë e më të kërkuar për shkak të digjitalizimit në rritje të bizneseve dhe institucioneve. Po kaq thelbësor është edhe roli i specialistëve të komunikimit, që renditen të tretët, duke reflektuar rëndësinë e marrëdhënieve me publikun, komunikimit online dhe menaxhimit të markës.

Kërkesë të qëndrueshme paraqesin edhe profesionet inxhinierike, inxhinierë ndërtimi, mekanikë, elektroteknikë, duke pasqyruar ritmin e lartë të sektorit të ndërtimit dhe projekteve infrastrukturore në vend.

Në listë gjenden gjithashtu juristët, specialistët e burimeve njerëzore, dentistët, arkitektët, si dhe pozicione të lidhura me logjistikën dhe shërbimet bankare, të cilat konfirmojnë kërkesën për profesione të specializuara dhe të mirëkualifikuara.

Profesionet me arsim të mesëm: shërbimet dhe zanatet, më të kërkuarat

Kategoria e punonjësve me arsim të mesëm dominohet nga kërkesa për profesione në sektorin e shërbimeve dhe sektorët manualë.

Në krye të listës qëndron kamarieri, një profesion që prej vitesh mban pozicion të lartë si pasojë e turizmit në rritje dhe sektorit dinamik të bareve e restoranteve. Po ashtu, shitësit në dyqan, banakierët dhe receptionistët mbeten shumë të kërkuar nga bizneset e akomodimit dhe tregtimit.

Nga ana tjetër, profesionet teknike si mekanik, elektriçist, saldator, hidraulik dhe teknikë të TIK paraqesin mungesa strukturore në treg, duke i bërë profesionet e zanatit ndër më të kërkuarat këtë sezon.

Ndërsa profesione të tjera si shoferët e mjeteve të rënda, magazinierët dhe mbikëqyrësit e shërbimit/pastrimit tregojnë rritje të kërkesës nga sektorët e logjistikës, depozitimeve dhe industrisë.

Profesionet pa arsim të lartë: punonjësit e pastrimit dhe ndihmësit, më të kërkuarit

Në segmentin e tregut të punës ku nuk kërkohet arsim i lartë apo i mesëm specifik, kryeson bindshëm profesioni punonjës pastrimi, i cili përbën një nga pozicionet më të shpallura në vend për shkak të kërkesës së qëndrueshme nga kompanitë e shërbimeve, qendrat tregtare, bizneset dhe njësitë akomoduese.

Ndihmëskuzhinieri, punëtori i ndërtimit, punëtori ndihmës, rrobaqepësi, punëtori krahu, dhe profesionet në bujqësi si punëtorë të fermave/kopshtit, renditen ndër më të kërkuarit, duke reflektuar një treg ku kërkesa për fuqi punëtore fizike është e lartë por shpesh e vështirë për t’u mbuluar.

Nga ana tjetër, profesione të tilla si punëtorë ngarkim-shkarkimi, prodhuese këpucësh, përgatitës ushqimesh, betonues/hekurkthyes, apo bojaxhinj, tregojnë nevoja të vazhdueshme nga industria prodhuese, ndërtimi dhe sektori ushqimor.

Të dhënat e publikuara tregojnë një treg pune që po shkon drejt polarizimit: një kërkesë të fortë për profesionistë të kualifikuar në fusha si financat, teknologjia, inxhinieria dhe menaxhimi, dhe njëkohësisht një kërkesë po aq të lartë për profesione të nivelit të mesëm dhe të ulët, sidomos në sektorët e shërbimeve, ndërtimit dhe prodhimit.

Ky trend shpjegohet me: rritjen e turizmit dhe shërbimeve; Investimet në ndërtim dhe infrastrukturë; Zgjerimin e industrive teknologjike; Migrimin e lartë të të rinjve dhe të punonjësve të kualifikuar dhe Mungesën e zanatçinjve dhe profesionistëve teknikë.

Këto të dhëna shërbejnë si sinjal i rëndësishëm për institucionet, bizneset dhe të rinjtë që po planifikojnë karrierën e tyre, duke treguar qartë se cilat profesione ofrojnë më shumë mundësi punësimi në Shqipëri sot. /ekofin.al