Ballina Kulturë Në asnjë vend normal deklaratat antikombëtare në media nuk trajtohen si opinione...

Në asnjë vend normal deklaratat antikombëtare në media nuk trajtohen si opinione të vlefshme

18
0

Nga Ermal Peçi

E dëgjova disa herë me vëmendje emisionin dhe deklaratat e Olsi Jazexhiut në studion Arnautistan të gazetarit Mustafa Nano. Ajo që prita të ishte një debat i kujdesshëm, u shndërrua në një breshër të ftohtë fjalësh mbi flamurin, pavarësinë dhe sakrificën tonë.

Me një qetësi që të mpin, Jazexhiu deklaroi: “Ju arnautët keni 28 Nëntorin, unë si otomanist e kam ditë zie.” E kur Nano i kujtoi se kjo festë është edhe e tij, ai tha: “Jo.”
Shqiptar në gjak, por i otomanizuar në mendim, ai e sheh shtetin shqiptar si një gabim historik dhe idealizon një perandori që i ka pushtuar mendjen ashtu siç pushtoi dikur tokat tona.

Për të, Shqipëria e sotme është “provincë e Europës”, ndërsa Perandoria Osmane një horizont romantik që shtrihet nga Egjipti në Serbi. Por kjo nuk është thjesht nostalgji për osmanët. Është mohim i themeleve mbi të cilat u ngrit shteti shqiptar. Është tallje me ata që sakrifikuan gjithçka për vendin tonë, me ata që e ngritën flamurin mbi gërmadhat e pushtimeve, me ata që zgjodhën lirinë përpara nënshtrimit.

Të relativizosh pushtimin osman nuk është debat historik, është përdhosje. Në të njëjtën logjikë, nesër mund të na dalin dashnorë të pushtimit italian, grek, serb… mund të na shesin Esat Pashë Toptanin si hero e jo si tradhtar, mjafton që dikush të ketë një “përjetim emocional”. Por historia është fakt, jo emocion, dhe faktet janë të pakundërshtueshme: ky komb ka paguar me gjak çdo centimetër të lirisë së tij.

Nga Skënderbeu tek Ismail Qemali. Nga Dedë Gjo’ Luli tek Isa Boletini, deri te Abdyl Frashëri, ideologu i Lidhjes së Prizrenit dhe një sërë figurash të tjera janë gurët që mbajnë shtëpinë shqiptare në këmbë.

Problemi nuk është ai vetë. Problemi është platforma që e ngre lart, sikur ai po fliste për recetën e byrekut apo për gatimet turke që i pëlqejnë aq shumë, dhe jo për ditën kur një popull vendosi të mos ishte pronë e askujt. Në asnjë vend serioz nuk tolerohet tallja me simbolet kombëtare, aq më pak me ditën kur u fitua liria.

Deklaratat e tij nuk meritojnë debat, por ato meritojnë distancim. Jo non grata për personin, por non grata për idenë e rrezikshme se nënshtrimi është më i mirë se liria, se pavarësia ishte një gabim, se 28 Nëntori është ditë zie se ne u distancuam nga osmanët.

Në asnjë vend normal, në asnjë demokraci funksionale, një deklaratë e tillë nuk trajtohet si opinion i vlefshëm. Në Shqipëri, 28 Nëntori nuk është datë për diskutim, është gur themeli i ekzistencës sonë.

Është dita kur ky popull tha “mjaft”. Dita kur shqiptarët vendosën të jenë shtet, jo pronë. Kush e fyen këtë ditë, fyen gjakun që na ndërtoi lirinë.