Ballina Ekonomia Kursi i Euros prek minimumin e ri historik, kap vlerën e 96.59...

Kursi i Euros prek minimumin e ri historik, kap vlerën e 96.59 lekëve! Faktorët që ndikuan

23
0

Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut e ka nisur muajin dhjetor me një rënie të lehtë. Madje, ditën e mërkurë kursi shënuar një minimum të ri historik, duke prekur nivelin e 96.59 lekëve. Kjo vlerë përfaqëson një rënie shumë të lehtë nga minimumi i mëparshëm prej 96.6 lekësh, që ishte regjistruar në tetor të këtij viti.

Ecuria e kursit ka treguar se presionet zhvlerësuese mbi monedhën e përbashkët europiane kanë vazhduar edhe gjatë vitit 2025. Agjentët e tregut valutor e shpjegojnë këtë tendencë me ofertën e qëndrueshme të monedhës europiane në tregun valutor. Kjo tendencë është theksuar veçanërisht pas tremujorit të tretë të vitit.

Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, vëllimi i tregtimeve valutore u rrit me 24.4% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

Rritja ishte madje më e lartë krahasuar me rritjen prej 21% të tremujorit të tretë 2024. Kjo tregon se rritja e volumit të këmbimeve mund të lidhet në një pjesë të madhe me efektin sezonal të turizmit. Megjithatë, agjentët e tregut perceptojnë në vijimësi edhe një efekt të konsiderueshëm nga prurjet valutore të lidhura me aktivitete informale ose të jashtëligjshme.

Rritja e volumit të këmbimeve është një tregues i tërthortë i faktit që në ekonomi ka hyrë më shumë valutë e huaj.

Megjithëse Leku ka vijuar të forcohet, mbiçmimi vjetor është ulur ndjeshëm krahasuar me ritmet e shënuara në dy vitet e mëparshme. Aktualisht, kursi i këmbimit Euro – Lek është në rënie me 1.8% krahasuar me të njëjtën ditë të vitit të kaluar.

Megjithatë, ngadalësimi i rënies së Euros është i lidhur me ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor, për të mos lejuar mbiçmimin e mëtejshëm të monedhës vendase. Sipas informacioneve nga Banka e Shqipërisë, për 9-mujorin 2025 blerjet e valutës në tregun e brendshëm kanë arritur në afërsisht 800 milionë euro. Me një ritëm të tillë, është shumë e ngjarë që deri në fund të vitit shuma e blerjeve të kalojë nivelin rekord prej 933 milionë eurosh të regjistruar gjatë vitit 2024.

Banka e Shqipërisë i ka argumentuar ndërhyrjet me objektivin e inflacionit, që në dy vitet e fundit po qëndron poshtë nivelit të shënjestruar prej 3%.

Megjithatë, një politikë e tillë po has kritika nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), që në deklaratën e fundit rekomandonte që Banka e Shqipërisë duhet të pakësojë ndërhyrjet në kursin e këmbimit valutor. Sipas misionit të FMN-së, kursi i këmbimit duhet të veprojë si amortizator goditjesh me një fleksibilitet më të madh, ndërsa akumulimi i mëtejshëm i rezervave duhet të udhëhiqet nga një analizë kosto-përfitim.

Analiza e stafit të FMN-së sugjeron se vlerësimi i kursit real të Lekut drejtohet kryesisht nga faktorët themelorë, me flukset spekulative financiare që luajnë vetëm një rol modest.

Për rrjedhojë, FMN-ja rekomandon që Banka e Shqipërisë duhet të lejojë fleksibilitet më të madh të kursit të këmbimit dhe të mbështetet te normat e interesit për stabilitetin e çmimeve, ndërsa ndërhyrjet në tregun valutor duhet të rezervohen për raste të rralla të goditjeve jo-themelore. FMN gjykon se përfitimet nga akumulimi i rezervave duhet të peshohen ndaj kostove oportune në rritje, rreziqeve të normave të interesit dhe humbjeve të mundshme nga rivlerësimi valutor.

Nga ana tjetër, Leku i fortë edhe për këtë vit është mbështetur pjesërisht nga politika fiskale e ndjekur nga qeveria. Në fund të 9-mujorit, balanca buxhetore ishte pozitive, në vlerën 49.2 miliardë lekë. Suficiti i lartë buxhetor ka ulur ofertën e monedhës vendase në treg dhe ka nxitur më tej tendencat e saj mbiçmuese. / Monitor