Ballina Ekonomia “Cashless Albania 2030”, Ibrahimaj: Synojmë 60% pagesa digjitale në 2030, Sejko: Vitin...

“Cashless Albania 2030”, Ibrahimaj: Synojmë 60% pagesa digjitale në 2030, Sejko: Vitin e ardhshëm operacionale “Pagesat e Shpejta” me rajonin

25
0

Në takimin me Shoqatën e Bankave, përfaqësues të sektorit financiar dhe atij fintech, në kuadër të nismës kombëtare për reduktimin e pagesave me para në dorë, Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi se kjo nismë ka për synim të rrisë përdorimin e pagesave digjitale nga qytetarët dhe bizneset, duke krijuar një infrastrukturë moderne, të sigurt dhe funksionale.

Sipas saj, objektivat kryesorë janë rritja e pagesave digjitale, formalizimi i ekonomisë, afrimi me standardet europiane, forcimi i edukimit financiar për qytetarët dhe bizneset.

Ibrahimaj njoftoi gjithashtu se po ngrihet një Këshill për Pagesat Digjitale, i cili do të ketë për qëllim reduktimin e kostove të pagesave për bizneset dhe konsumatorët, si dhe uljen e varësisë nga paraja fizike.

Kjo strukturë, sipas saj, nuk prek kompetencat e Bankës së Shqipërisë, por i vjen në ndihmë procesit të modernizimit të pagesave.

Ministrja theksoi se përdorimi i shërbimeve bankare në Shqipëri mbetet i ulët. Duke u bazuar në raportin e Bankës Botërore, ajo theksoi: vetëm 16% e pagesave kryhen përmes kartave, kostot e transaksioneve janë të larta, vetëm 46% e popullsisë ka një llogari bankare, dhe nga këto, vetëm 35% kanë kryer pagesa digjitale.

Ajo njoftoi se tashmë ka nisur një projekt pilot për testimin e metodave të reja të pagesave digjitale, duke identifikuar nevojat dhe sfidat që duhen adresuar për suksesin e kësaj nisme.

“Objektivi ynë është që 60% e pagesave në vend të jenë digjitale deri në vitin 2030, dhe që 100% e institucioneve publike të pranojnë pagesa elektronike”, tha Ibrahimaj.

Ministrja bëri të ditur se janë hartuar 12 masa konkrete dhe se po bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore për të mbështetur kalimin drejt një ekonomie më pak të bazuar në cash.

Në paketën fiskale të vitit 2026, parashikohet: ulja e tavanit të pagesave cash në 500 mijë lekë, detyrimi që të gjithë tregtarët dhe bizneset të pajisen me mjete elektronike pagese deri në fund të vitit 2026, me zbatim të shkallëzuar.

Në këtë kuadër, deri në qershor të vitit të ardhshëm, bizneset e sektorit të turizmit do të kenë detyrim të pajisen me pajisje elektronike pagese.

Gjithashtu theksoi ajo, programi parashikon: eliminimin e transfertave cash nga institucionet publike, nxitjen e pagesave elektronike për punonjësit e administratës,  vendosjen e një limiti për pagesat cash në arkën e subjekteve që lëshojnë faturë elektronike.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se në kuadër të modernizimit të sistemit të pagesave digjitale, Banka Qendrore ka ndërmarrë një sërë hapash dhe iniciativash konkrete për reduktimin e parasë cash dhe rritjen e përdorimit të pagesave elektronike në vend.

Sipas tij, Banka e Shqipërisë ka realizuar disa reforma të rëndësishme ndër të cilat: miratimin e ligjit të ri për pagesat, licencimin e institucioneve të pagesave elektronike, zhvillimin e infrastrukturës për banking-un e hapur, anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA, dhe vënien në funksion të plotë të sistemit SEPA për transfertat ndërkombëtare.

Ai bëri të ditur se aktualisht janë në proces edhe projekte të tjera madhore, përfshirë sistemin e pagesave të shpejta në bashkëpunim me Bankën e Italisë, i cili pritet të jetë gati deri në fund të vitit 2026.