Steve Cropper, një nga kitaristët më me ndikim në historinë e muzikës soul dhe R&B, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare. I njohur për punën e tij te Stax Records dhe si anëtar i Booker T & The MGs, Cropper la gjurmë të paharrueshme në qindra këngë të pavdekshme të viteve ’60 dhe ’70.
Legjenda e kitarës Steve Cropper është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare. Lajmin e ka konfirmuar i biri, Cameron, për revistën Variety. Cropper ishte një nga figurat më të rëndësishme të muzikës soul amerikane, me një karrierë që shtrihet në mbi gjashtë dekada.
I njohur si kitaristi i fuqishëm i Booker T & the MGs, Cropper kontribuoi në dhjetëra hite të Stax Records, shtëpisë diskografike që formësoi tingullin e Memphis Soul.
Me grupin, ai shënoi historinë me këngë si Green Onions, ndërsa si muzikant, producent dhe inxhinier studioje, mori pjesë në projekte të artistëve legjendarë si Otis Redding, Wilson Pickett, Sam & Dave, Rufus dhe Carla Thomas.
Cropper luajti dhe kontribuoi në realizimin e disa prej hiteve më të mëdha të muzikës soul, si (Sittin’ On) The Dock of the Bay, In the Midnight Hour, Knock On Wood, Mr Pitiful, Raise Your Hand, “See Saw” dhe shumë të tjera. Revista britanike Mojo e renditi atë në vitin 1996 si kitaristin e dytë më të mirë të të gjitha kohërave, menjëherë pas Jimi Hendrix.
I lindur dhe rritur në Memphis, Cropper nisi karrierën e tij që në adoleshencë dhe u bë pjesë e studios Stax në vitin 1961, kur ishte vetëm 20 vjeç.
Edhe pas largimit nga Stax në vitin 1970, Cropper vazhdoi të ishte shumë aktiv, duke u rigrupuar herë pas here me MGs për regjistrime dhe turne, si dhe duke bashkëpunuar me emra të mëdhenj si Neil Young, Bob Dylan, John Fogerty dhe Levon Helm.
Ai u bë gjithashtu pjesë e suksesit të The Blues Brothers, ku luajti si kitarist në albumet e tyre dhe u shfaq në filmat kult The Blues Brothers (1980) dhe Blues Brothers 2000.
Cropper vazhdoi të publikonte muzikë deri vonë, me katër albume solo pas vitit 2000. Cropper lë pas bashkëshorten Angel dhe katër fëmijët e tij.







