Nga Luçiano Boçi
Kur Parlamenti miraton një ligj që prek në themel raportin e shoqërisë me identitetin, familjen dhe edukimin, Presidenti ka detyrimin minimal që të flasë.
Të japë një qëndrim.
Të përdorë një nga dy instrumentet që i jep Kushtetuta.
Ta dekretojë, ose ta kthejë për rishqyrtim.
Presidenti i Republikës zgjodhi një të tretë.
Heshtjen.
Në vend të detyrës për të mbrojtur dy gjinitë e Zotit, Presidenti zgjodhi gjininë e tretë (alternativen), me ligj dhe qëndrim.
As nuk e dekretoi ligjin për barazinë gjinore, as nuk e kundërshtoi.
Në fakt e pranoi, pasi ligji kështu konsiderohet i miratuar.
E la të kalonte si një tren pa frena, me pasoja të llahtarshme në përplasjen që do krijojë me shoqërinë e të ardhmen.
Kjo heshtje nuk është as e pafajshme, as neutrale. Heshtja në këtë rast është miratim absurd.
Është një firmë pa bojë.
Kur nuk kundërshton, ke zgjedhur tashmë një anë, edhe nëse bën sikur nuk je aty në atë anë, në krah të Ramës me shpatë në dorë kundër familjes.
Presidenti për sytë e publikut u arratis nga përgjegjësia, por për Ramën ama, thjesht bëri sejmenin e përhershëm.
Në vend të jetë garanci, apo filtër e ndalesë kontrolli, Presidenti bën policin që jep leje të kalojë treni megjithëse semafori është i kuq.
Z. President!
tani dhe vetë mos harro! Sipas këtij ligji nuk je më ‘Zoti’ President, por ‘Identiteti i vetëpërcaktuar’ President.
Identitet i vetëpërcaktuar President!
Ligji për barazinë gjinore nuk është një ligj teknik.
Është ligj me ndikim të thellë shoqëror, kulturor dhe edukativ afatgjatë.
Prek shkollën, familjen, administratën, gjuhën zyrtare dhe konceptin e identitetit.
Përmbys vlerat e krijon trauma sociale e psikologjike.
Ndaj zgjedhja e luksit të spektatorit, nuk të shpëton nga dënimi i historisë, sepse disfatat dhe harrohen, por turpet jo.







