Pamje të rënda dhune kanë tronditur këtë të hënë ishullin e Kretës, ku protesta e fermerëve grekë është përshkallëzuar në mënyrë të paprecedentë.
Në Hania dhe Iraklio, turma të mëdha protestuesish u përplasën me forcat policore pranë aeroporteve. Në Hania, fermerët thyen kordonin policor, përmbysën një automjet policie dhe detyruan njësitë speciale të tërhiqen, pavarësisht përdorimit të gazit lotsjellës. Në Iraklio, dhjetëra protestues depërtuan deri në pistën e aeroportit, duke shkaktuar mbylljen e tij të përkohshme.

Protesta e sotme është pjesë e një lëvizjeje kombëtare që prej fund-nëntorit. Fermerët kërkojnë përshpejtimin e subvencioneve të BE-së dhe uljen e kostove të prodhimit, duke akuzuar shpërndarje të padrejtë të ndihmave financiare vetëm për individë të lidhur me pushtetin.
Në veri të vendit, bllokadat vazhdojnë në doganën e Promahonas me Bullgarinë, në autostradën Egnatia pranë Kozanit, si dhe në Kardhicë e Thesali, ku qindra traktorë mbajnë të paralizuara rrugë strategjike. Në disa zona protestat janë simbolike, ndërsa në të tjera situata ka degjeneruar në përplasje të drejtpërdrejta me policinë.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka bërë thirrje për qetësi, duke premtuar se pagesat e subvencioneve dhe masat mbështetëse do të kryhen brenda dhjetorit. Por fermerët paralajmërojnë se do të ashpërsojnë aksionet nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen menjëherë.
Situata mbetet e tensionuar, dhe autoritetet presin që gjatë ditës protestat të zgjerohen, duke u shndërruar në një prej mobilizimeve më serioze të fermerëve në Greqi vitet e fundit.







