Nga Ylli Manjani
Përveç brutalitetit të prokurorisë që tashmë është bërë normë sjellje, madje i pëlqyer edhe nga turmat, sistemi ligjor penal ka një defekt të madh:
I jep gjykatës mundësinë ta paragjykojë çështjen.
Gjykatësi ka në dispozicion paraprakisht të gjithë dosjen hetimore me të gjitha provat, indiciet, dëshmitë, thashethemet e çdo gjë.
Pra përpara se Ai/Ajo të hyjë në sallën e gjyqit për të dëgjuar e gjykuar mbi palët prezente, pala që i la dërguar paraprakisht aktet është padyshim më e favorizuara. “Afërmendsh” dmth…
Kjo qasje ligjore e bën sallën e gjyqit,dmth të drejtën për t’u dëgjuar të parëndësishme. Faktikisht gjyqi bëhet në prokurori, aq sa bëhet edhe aty, sepse aty mblidhen provat, pyeten dëshmitarët, kryhen përgjimet, merren informacionet. Aty bëhet çdo gjë.
Në gjykatë thjesht lexohen ato që bën prokurori.
Pala tjetër zakonisht, në më shumë se 95% të rasteve flet kot, sepse fjalët e saj nuk mundin dot paragjykimim e trupës gjyqsore.
Ky sistem quhet as më pak e as më shumë INKUIZICION.
Sigurisht,meraklinjtë e termave kanë idenë e djegjes në turrën e druve që të shohin inkuizicion, por në sistemin e sotëm nuk ka turrë drush, por burgim me paragjykim.
Nëse duam gjykatë vërtetë të paanëshme; nëse duam që të ketë kuptim salla e gjyqit dhe gjykimi i hapur, sistemi penal aktual duhet të rindërtohet. Në këtë pikë nuk korrigjohet dot më.
Gjykata quhet e paanshme kur informacionin, kërkesat, provat, aktet, dëshmitë e çdo gjë e dëgjon për herë të parë në sallën e gjyqit.
Është prokurori ai që kërkon gjykimin dhe prezanton akuzën dhe provat në sallën e gjyqit, jo paraprakisht në zyrën e gjykatësit. Pastaj jo çdo indicie i shkon gjykatës. Gjykatës nuk i duhen thashetheme, por prova të marra ligjërisht.
Gjykata ka detyrë të dëgjojë përpara se të gjykojë. Ajo njihet me çështjen nga debati dhe ballafaqimi në sallën e gjyqit, dhe jo nga letrat që i çojnë paraprakisht.
Vetëm kështu do kishim një gjykatë të drejtë e të paanshme.
Një gjykatë që gjykon mbi faktet e debatuara në sallën e gjyqit quhet e drejtë dhe e paanshme.
Përndryshe, kështu si e kemi, është notere e prokurorisë. Salla e gjyqit është kot.







