Ministria e Financave ka miratuar Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit për periudhën 2026–2030, e cila parashikon një orientim më të theksuar drejt huamarrjes në tregun e brendshëm, me synim uljen e kostos dhe rreziqeve të borxhit publik.
Sipas strategjisë të botuar në Fletoren Zyrtare, rreth 84% e nevojave për financim gjatë pesë viteve të ardhshme do të mbulohen nga tregu i brendshëm, ndërsa 16% do të sigurohen nga burime të huaja. Ky orientim shënon një rritje të peshës së financimit të brendshëm krahasuar me strategjinë aktuale në zbatim. Referuar të dhënave zyrtare, aktualisht nga totali i borxhit publik, financimi i brendshëm zë 57.8% dhe financimi i jashtëm 42.2%.
Në tregun vendas, qeveria synon të ulë gradualisht huamarrjen afatshkurtër, përmes reduktimit të emetimit të bonove të thesarit, dhe të zgjerojë huamarrjen afatgjatë. Gjatë periudhës 2026–2030, bonot e thesarit pritet të përbëjnë mesatarisht rreth 50% të huamarrjes së brendshme, ndërsa instrumentet me maturim 2-, 3- dhe 5-vjeçar do të rriten në rreth 33%, dhe titujt me maturim mbi 5 vite do të arrijnë në 17%. Kjo qasje synon të ulë riskun e rifinancimit dhe të stabilizojë strukturën e borxhit.
Në drejtim të huamarrjes së jashtme, emetimi i Eurobondeve në tregjet ndërkombëtare do të mbetet një burim i rëndësishëm financimi. Strategjia parashikon 2 deri në 3 emetime Eurobondi gjatë periudhës pesëvjeçare, të kombinuara me kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe partnerë të tjerë zhvillimi, kryesisht për financimin e projekteve strategjike.
Sipas Ministrisë së Financave, në skenarin bazë makroekonomik, kjo strategji pritet të sjellë përmirësim të dukshëm të treguesve të riskut, veçanërisht në drejtim të riskut të rifinancimit dhe riskut të normave të interesit, duke kontribuar në një menaxhim më të qëndrueshëm të borxhit publik deri në vitin 2030.
Ministria e Financave ka përdorur modelin MTDS Toolkit të Bankës Botërore për analizimin e strategjisë për periudhën afatmesme 2026–2030. Në analizë janë marrë disa strategji alternative dhe të cilat janë analizuar dhe krahasuar duke konsideruar dy indikatorë paralelisht: koston e borxhit, si dhe zhvillimet mbi treguesit e riskut për secilën prej strategjive. Aktualisht, borxhi publik është në nivelin e 14.2 miliardë euro.







