Ballina Dossier Plani i KGB për pushtimin e Shqipërisë më 1962 dhe pse Mao...

Plani i KGB për pushtimin e Shqipërisë më 1962 dhe pse Mao Ce Duni mbështeti Enverin, dokumentet ruse! Takimi i fshehtë në Kinë

30
0

Nga Elmas Leci 

Pasi u njoh me raportin e Nikita Hrushovit në Kongresin e 20 të partisë bolshevike dhe sapo nisi “grindjet” me “sovjetikët e rinj”, Enver Hoxha në panik ia mbathi për në Pekin. Sebepi, pjesëmarrja në Kongresin e 8 të Partisë Komuniste kineze. Por e vërteta e shkuarjes në Kinë ishte se Enver Hoxha e ndjeu ashiqare kërcënimin e “sovjetikëve të rinj” për largim e tij nga pushteti. Mirëpo në ai në atë situatë kishte parë në “fundin e tunelit” pak dritë nga kinezët, të cilët kishin shfaqur ca divergjenca oshilacionuese ndaj sovjetikëve dhe si djallëzor që ishte, këto mendoi Enver Hoxha, duhet t’i shfrytëzonte në interesin e mbrojtjes së pushtetit të tij.

Të kujtojmë se ishte fillimviti 1956. Situata politike në kampin komunist të lindjes nuk ishte e kthjelltë. Nikita Hrushovi sapo e kishte dënuar hapur “kultin e individit” të Stalinit, me të gjithë veprimtarinë e tij partiake e shtetërore. Një vit më parë, ai ishte pajtuar me Jugosllavinë dhe kërkonte rimiqësimin e Enver Hoxhës me të, gjë që Enver Hoxha nuk e bënte se do dilte zbuluar për veprimtarinë e tij armiqësore me regjimin e Titor. Të vetmin shpëtim e shikon nga Pekini, ndryshe do kishte mbaruar që atëherë. Në këtë situatë Enver Hoxha shkon në Kinë. Vizita e tij në Pekin, në fakt është lënë për dhjetëra vjet disi në hije. Arsyet, asnjëherë nuk janë komentuar e publikuar. Edhe foto e Enver Hoxhës me Mao Ce Dunin është botuar aq pak e rrallë sa ka lënë ndjesinë që të bësh pyetjen: A ka qenë ndonjëherë Enver Hoxha në Kinë dhe a është takuar ai me Mao Ce Dunin?!

Ishte koha kur erërat nga Moska frynin të ftohta për Enver Hoxhën. Megjithatë, ai vetëm atë “vrime” kishte. “A vërtet do funksiononte, a vërtet do qëndronin kinezët përballë sovjetikëve, apo çdo gjë do të ishte një flluskë e madhe” propagandistike?! Enver Hoxhës i interesonte qëndrimi kinez, që edhe ai të qëndronte… Në Kinë, përveçse në Kongres, ai bëri vizita intensive nëpër qytete e provinca dhe kudo “peshonte” situatën. Se çfarë ishte politika e sovjetikëve të rinj, “ai” e kishte nuhatur, por se çdo të bënin kinezët, këtë duhet ta gjykonte mirë e mirë, ndaj çdo gjë varej nga kinezët, pasi Enver Hoxha nuk kishte këllqe. I kërcënuar nga presioni për ndryshime rrënjësore në politikë e në vijën e partisë, veçanërisht në drejtim të demokratizimit nën frymën e Kongresit të 20- të, Enver Hoxha u detyrua e u pozicionua menjëherë pro udhëheqësve komunistë të Kinës. Me vizitën në Kinë, e qarjen e halleve kokë më kokë me Mao Ce Dunin e Çu En Lain, problemi kryesor i Enver Hoxhës, mbajtja e pushtetit dhe mbrojtja e tij me çdo kusht e me çdo mjet, duket se mori një garanci.

Në këto situata, kur sovjetikët jo vetëm nuk e mbronin pushtetin e tij, por sapo nisën edhe kërcënimet, ai e pa të udhës që paralelisht, hë për hë pa u prishur me BS, të ngrinte e të ndërtonte edhe një aleancë të re. Natyrisht, aleanca Tiranë-Pekin, nuk u realizua menjëherë, për pasojë edhe ndërprerja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik nuk ndodhi menjëherë, ndaj u konkludua se Enver Hoxha i dribloi situatat për pushtetin personal.

Disa muaj më vonë, pas Kongresit të 20-të, pas vizitës në Kinë e marrëveshjeve të rëndësishme me Mao Ce Dunin, e pas Konferencës së Tiranës, më 22 tetor të vitit 1956, Enver Hoxha, thirri një plenum. Objeksioni ishte situata politike e brendshme dhe e jashtme dhe kryesisht vizita e fundit e tij jashtë shtetit, veçanërisht ajo në Kinë. Pasi foli tepër gjatë lidhur për marrëdhëniet me Jugosllavinë, Enver Hoxha në Plenum u ndal tek vizita disaditore që zhvilloi në Republikën Popullore të Kinës. Interesant ishte fakti se në takimin me Mao Ce Dunin, Enver Hoxhës i u desh t’i përshtatej në maksimumin e mundshëm përshtypjes së Maos për prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë dhe për figurën e Stalinit. Lidhur me Jugosllavinë, – siç shkruhet në procesverbalin e takimit, – Mao Ce Duni i tha Enver Hoxhës se “fajin për këtë e kishte Informbyroja”. Pas prishjes që dukej sheshit se mund të vinte me Bashkimin Sovjetik, Enver Hoxhës i duhej me domosdo një tjetër “strehë”, e cila të siguronte vijimësinë e pushtetit. Në takim Enver Hoxha nuk hezitoi ta fal¸nderonte Mao Ce Dunin për ndihmat që Republika Popullore e Kinës kishte filluar të sillte në Shqipëri. Pas takimit e bisedave private me Maon, Enver Hoxha dhe delegacioni që ai drejtonte, patën një takim edhe me Kryeministrin e Kinës, Çu En Lai. Enver Hoxha, në fjalën e tij në plenum, e falënderoi Kryeministrin e Kinës si njeri jashtëzakonisht të thjeshtë dhe që kishte shprehur dëshirën e plotë për të vijuar e shtuar ndihmat ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë, madje edhe për të zhvilluar një vizitë në Shqipëri. Çu En Lai, siç u tha Enver Hoxha anëtarëve të Komitetit Qendror, i kishte thënë se për çfarë ishte i interesuar dhe se si Kina mund ta ndihmonte më shumë Shqipërinë. Dhe Enver Hoxha i ishte përgjigjur se “për momentin heqja e triskëtimit ishte emergjente në Shqipëri”. Duke e mbyllur fjalimin e tij në mbledhjen e plenumit, Enver Hoxha u tha anëtarëve të Komitetit Qendror se “e falëndervova Kryeministrin kinez, ndërsa ai më ndërhyri menjëherë – dhe më tha se – nuk ishte nevoja ta falënderonim, pikë së pari sepse ndihma që iu kemi dhënë është një gjë fare e vogël”. Dhe vërtet ashtu rezultoi deklarimi i Çu En Lait, pasi pas vitit 1956, Enver Hoxhës me Kinën “i ndriti ylli” dhe për Shqipërinë vërshuan ndihmat kineze, kur normalisht nuk ishin ndërprerë edhe ato sovjetike.

PLANI PËR PUSHTIMIN E SHQIPËRISË

Sipas planit që kishin hartuar sovjetikët dhe që në vitet e fundit është bërë publik nga studiuesit e Arkivave Ruse, lidhej siç e kemi cilësuar më sipër, me planin e ofensivës ushtarake. Mirëpo situata për “sovjetikët e rinj” u bë e pa favorshme sepse konflikti me amerikanët, që ishte në kulmin e vet për shkak të Kubës, i ndryshoi përfundimisht prioritetet gjeopolitike.

Për këtë dhe për frikën sovjetike lidhur me reperkusionin e daljes në publik të atyre planeve, ka folur e deduksionuar edhe publicisti gjerman Harry Hamm.

Është fakt se pas vitit 1956 lidhjet midis Tiranës dhe Moskës nisën dobësimin. Nuk pati më vizita të nivelit të lartë, vetëm ajo e vitit 1959 e Nikita Hrushovi, që erdhi në Shqipëri “për ta arrestuar” Enver Hoxhën. E kemi shpjeguar më sipër qëllimin kryesor të vizitës së tejzgjatur të Nikita Hrushovit në Shqipëri, por mbetet edhe ushtarakja. Gjithsesi, kjo periudhë kaloi shpejt. Enver Hoxha për interesat e veta, sepse “kursi i ri” i Nikita Hrushovit kërkonte “likuidimin” e tij, shtoi flirtin me kinezët, duke e ndierë se me ndërrimin e partnerit, do të kishte më tepër përfitim. Nga ana tjetër, nuk vonoi edhe “ndëshkimi” sovjetik. Mallrat nga Bashkimi Sovjetik nisën të vinin me vonesë dhe jo të plota si dhe u refuzuan kërkesat e reja shqiptare. Në fakt, Shqipëria me Bashkimin Sovjetik, kishte prekur mirësira jo të pakta, veçanërisht në arsimimin e specialistëve të niveleve të larta. Kishin ardhur ndihma dhe ishin lëshuar shumë kredi. Paketa më e madhe e marrëveshjeve tregtare dhe ekonomike mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë, nënshkruhet në prill të vitit 1957. E ndërsa hidhet ky karrem i majme mosmarrëveshjet e Enver Hoxhës që i cenonin atij pushtetin personal, që gradualisht u rritën ndaj Hrushovit dhe që çuan që pas Mbledhjes së Moskës, udhëheqja sovjetike i kaloi mosmarrëveshjet politike në sferën e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe u shkua deri në zgjidhjen edhe të lidhjeve ushtarake. Në librin e tij “Shqipëria dhe prishja sovjeto – kineze” Uilliam Griffith hedh tezën se vizita e Hrushovit në Tiranë në 1959-ën ishte edhe një tentativë finale, por e pasuksesshme për të paralajmëruar e penguar Enver Hoxhën për aleancën e tij me Mao Ce Dunin kundër Bashkimit Sovjetik.

Aq përmasa morën mosmarrëveshjet e Enver Hoxhës me Nikita Hrushovin sa në mars të vitit 1961, Presidiumi i KQ të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik vendosi likuidimin e Bazës së Vlorës. Paralelisht me këto brutalitete, megjithatë kemi ende përpjekjet e Hrushovit për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet me dialog, por ky rezultoi i pasuksesshëm me Enver Hoxhën dhe ua la vendin përsëri kërcënimeve e shantazhit.

Në mesin e vitit 1961, në Moskë u përpunua edhe plani i zgjedhjes forcërisht të “problemit shqiptar”, që parashikonte përmbysjen e Enver Hoxhës. Kjo përmbysje siç thonë dokumentet ruse do të bëhej jo vetëm nga jashtë, por edhe me ndihmën e komunistëve shqiptarë “besnikë të idealeve socialiste dhe drejtimit të tyre nga Bashkimi Sovjetik e vendet pjesëmarrëse në Traktatin e Varshavës”. Sipas dr. Okorokovit, “çlirimi i Shqipërisë” ishte planifikuar të realizohej jo më vonë se 1 shtatori i vitit 1962, por acarimi i marrëdhënieve sovjeto-amerikane për shkak të Kubës (Kriza e Karaibeve) nuk lejoi realizimin e planit. Duke përfituar nga kjo, Enver Hoxha mori masa parandaluese. 7) Kur Shqipëria ishte rreshtuar plotësisht krah Kinës komuniste, Hrushovi kishte mbetur i habitur dhe i revoltuar me veten se përse e kishte toleruar aq gjatë Enver Hoxhën, pasi sipas tij ai e kishte në dorë që ta eliminonte atë që në vitin 1957.

NDIHMAT KINEZE

Pranvera e vitit 1962 ishte tepër rezultative për Enver Hoxhën lidhur me ndihmat kineze. Pas disa takimeve u arrit marrëveshja me Kinën për ndihmë të gjithanshme ndaj Shqipërisë. Ishte një akordim, që kishte filluar që në kohën e Bashkimit Sovjetik, por me që ky ndërpreu çdo gjë, atëherë Kina ndërhyri me akordime të fuqishme. Vërshuan këshilltarë ushtarakë kinezë, armatimet e municionet dhe shumë ndihma ekonomike. Në një kohë të shkurtër nisën të ndërtoheshin në Shqipëri, uzina e kombinate dhe vepra të mëdha ushtarake deri edhe vendstrehime nëntokësore e mbitokësore aq sa në vitin 1968 ato u bënë mbisunduese dhe përfshinë gjithë territorin shqiptar. Këto ishin kryesisht në planin ekonomik e ushtarak, ndërsa në planin politik e partiak vetë Enver Hoxha direkt nisi dhe bëri spastrime të mëdha në radhët e partisë, e në të njëjtën kohë edhe në aparatin shtetëror, njëlloj si në kohën e prishjes së largët me jugosllavët. Si rezultat i këtyre, në vitet 1960-1962 ai rinovoi, e 70 për qind të gjithë përbërjen e Komitetit Qendror si dhe shumë ministrive e drejtorive qendrore. Këto masa “kuruese” e parandaluese, Enver Hoxha sipas mendjes së tij i bëri për “shëndoshjen” e partisë dhe të shtetit nga “infeksioni” sovjetik. Edhe sovjetikët ndonëse tashmë të divorcuar me Enver Hoxhën, nuk hiqnin që nuk hiqnin dorë nga synimi për Shqipërinë, për pozicionin e saj strategjik në Adriatik e Mesdhe, ndaj në verën e vitit 1962 ata iu rikthyen edhe një herë “çështjes shqiptare” për destabilizim, tashmë jo direkt, por indirekt edhe me rolin kryesor të planit për “destabilizimin” e vendit, të cilin ia dhanë liderit jugosllav Josif Broz Tito. Në Moskë bënin llogari se aleanca shqiptaro-kineze dhe politika antijugosllave e propaganda e Tiranës, do ta vinin Beogradin në aleancë të ngushtë me Bashkimin Sovjetik me synimin për destabilizimin e regjimit të Enver Hoxhës, gjithnjë sipas planit që kishin hartuar sovjetikët dhe që në vitet e fundit është bërë publik nga studiuesit e arkivave të sotme ruse. Ishte vizita e parë dhe e fundit e Enver Hoxhës në Kinë, ajo që i dha, falë Mao Ce Dunit, ndihma të konsiderueshme ekomomike e ushtarake, me të cilat Enver Hoxha për të keqen e Shqipërisë, shpëtoi veten dhe pushtetin.

Autori, Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes/Panorama