Diaspora shqiptare përllogaritet në 2.2 milione shtetas gjatë vitit 2025. Instituti i Statistikave ka publikuar raportin “Diaspora e shqipërisë” ku është përllogaritur popullsia shqiptare që jeton jashtë vendit dhe rezulton se Italia dhe Greqia kanë numrin më të lartë të emigrantëve ndjekur nga Gjermania Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Të dhënat tregojnë se Italia dhe Greqia janë qendra kryesore të stabilizimit afatgjatë të emigrantëve shqiptarë.
Kjo reflektohet si në numrin e lartë të rezidentëve, ashtu edhe në proceset e integrimit, përfshirë lejet e qëndrimit dhe fitimin e shtetësisë. Raporti veçon edhe komunitetin shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i cili përllogaritet në rreth 206 mijë persona.
Sipas të dhënave të Instat rreth gjysma e lejeve të qëndrimit në vendet europiane ëshët dhënë për bashkim familjar ndjekur nga arsyet e punësimit e më pas studimi, vërehet se 1.1 milionë individë janë meshkuj dhe rreth 1 milion femra.
Përllogaritjet e diasporës tregojnë se ajo përfshin një popullsi relativisht të re dhe pjesën kryesore e zë grupmosha 15-64 vjeç me rreth 77 % ndjekur nga grupmosha 0-14 vjec. Shqiptarët mbi 65 vjeç që jetojnë në diasporë zënë vetëm 5% të totalit.K jo tregon një diasporë me profil të ri, ekonomikisht aktive dhe me potencial të lartë kontributi në tregjet e punës të vendeve pritëse.
Pothuajse gjysma e migrantëve transferojnë një pjesë të të ardhurave të tyre në Shqipëri përmes remitancave. Vendimi për të dërguar remitanca është i lidhur pozitivisht me suksesin e emigrantëve në gjenerimin e të ardhurave dhe kursimeve jashtë vendit.
Migrantët kanë tendencë të dërgojnë remitanca kryesisht nëpërmjet miqve ose kur vizitojnë vetë Shqipërinë, ndërsa kanalet formale, siç janë bankat dhe operatorët e transferimit të parave përdoren si metodë kryesore në vetëm 30 përqind të rasteve. Mesatarisht, migrantët fitojnë 2.5 herë më shumë sesa fitonin para migrimit dhe gati 2.5 herë më shumë sesa bashkëmoshatarët e tyre që qëndrojnë në Shqipëri.







