Ballina Dossier Histori e rëndë në komunizëm/ Pas seancës gjyqësore, turma sulmoi furgonin e...

Histori e rëndë në komunizëm/ Pas seancës gjyqësore, turma sulmoi furgonin e të burgosurve dhe rrahu të pandehurin, kurse Musine Kokalarit…

0
35

Më kishte mbetur në mendje imazhi i saj në sallën e gjyqit – e hijshme, elegante, me flokët e gjatë gështenjë, derdhur mbi supe. E marrë në momente tragjike, fotoja rrezatonte guxim, sfidë, vendosmëri, mençuri, inteligjencë! Për Musine Kokalarin [1917 – 1983], kisha dëgjuar edhe nga im atë, që e kishte njohur në Tiranë, më ngjan në librarinë “Lumo Skëndo”, ndër qendrat intelektuale të kohës. Sapo kisha kaluar një periudhë kalvari në fshatra të Gjirokastrës ku, në përplasje me diktaturën, qëllova i zhytur në arealin e asaj kulture, tradite dhe gjuhe të Jugut tonë të çmuar, kur në Tiranë më ra në dorë bleu simpatik “Siç më thotë Nënua Plakë“.

Librin e hasa në bibliotekën e pasur të gjyshit, i cili çuditërisht pat blerë 3 kopje. E përpiva dhe e rilexova disa herë, duke u kredhur në botën e çuditshme të Gjirokastrës mitike, ku Musineja të shoqëronte me butësi e elegancë, përmes gjuhës e stilit të saj të praruar, të njomë e të kthjellët, në botën ku Kadareja do të shpaloste më vonë kryeveprat e tij letrare.

Dënimi i një gruaje, internimi i saj, vetmia e imponuar nga diktatura, fundi i Musine Kokalarit në Mirditë – të gjitha këto përçonin vetëm dhimbje, bashkë me pyetjen “përse vallë”? Ri takimi me Musinenë ndodhi përmes një dokumenti të arkivës së Departamentit Amerikan të Shtetit. Si në një film tragjik bardhezi, të ngjizur në tekst, Kokalari u rishfaq në pas-jetën e saj (posterity), gjithnjë sfiduese, e hijshme, me flokët e derdhur, ngjyrë gështenjë, por tashmë të transformuara në objekt dhune.

Pasdreken e 27 qershorit 1946, një telegram arrin në Uashington nga Legata Amerikane në Tiranë. Autor është shefi i misionit Jacobs. Dokumenti është vetëm një faqe. Subjekti ishte seanca gjyqësore e një dite më parë në Tiranë. Misionet amerikane dhe britanike ishin të shqetësuara për përmendjen e lidhjeve të tyre me të akuzuarit. Teksti në fund bëhet rrëqethës:

Dje, pas seancës gjyqësore, turma sulmoi fugonin e të burgosurve dhe rrahu keqas të pandehurin. Kokalarit, njërës nga dy gratë e akuzuara, ia shkulën shumicën e flokëve. Rojet bënin sehir” …!

Bota sapo kishte dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Ishte pragu i Luftës së Ftohtë. Shqipëria ndodhej në udhëkryq. Komunistët nuk kishin ndërmend ta lëshonin pushtetin. Krahas orientimit drejt Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik, ata mëtonin edhe lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-ës dhe Britaninë e Madhe.

Ky hap do t’i rriste legjitimitetin regjimit, por ndofta ishte edhe si njëfarë qasjeje origjinale e “neutralitetit”, parim i qenësishëm qysh në zanafillë të shtetit shqiptar.

Misioni diplomati amerikan ishte ngarkuar të vëzhgonte zhvillimet në vend dhe të rekomandonte njohjen ose jo. Mirëpo misioni britanik në Tiranë ende nuk kishte diplomatë të mirëfilltë. Interesat e qeverisë së Madhërisë së Saj i përfaqësonte Misioni Ushtarak Britanik [BMM].

Mungesa e kredencialeve demokratike të komunistëve të Tiranës, fushata e terrorit dhe e spastrimeve, ishin shkak serioz për mosnjohjen. Mirëpo SHBA-ës ishin realisht më afër njohjes diplomatike, ku kusht kryesor ishte vijimësia e traktateve dypalëshe të lidhura me Shqipërinë e Mbretit Zog.

Kurse me britanikët puna ishte mjaft më e ngatërruar. Komunistët shqiptarë shihnin me dyshim çdo hap që vinte nga Londra ose përfaqësuesit e saj në Tiranë. Në raportet me ta rëndonin ngarkesa politike dhe emocionale, që nuk mund të injoroheshin. Mosbesimi kishte lindur qysh gjatë viteve të Luftës në male, kur, edhe në rrafsh personal, në sjelljen e britanikëve jo rrallë vërehej njëfarë përçmimi në raport me vendasit.

Ndërhyrja britanike në Greqi në përfundim të Luftës, mbështetja për mbretin Jorgo e forcat ekstreme të djathta, madje me të kaluar kolaboracioniste, shihej me shqetësim nga udhëheqësit komunistë të Tiranës.

Tragjedia çame, e konsumuar pikërisht dy vjet më parë, refuzimi i qeverisë greke ndaj kërkesës së UNRRA-s për kthimin në Çamëri të refugjatëve çamë të strehuar përkohësisht në Shqipëri, tensioni ushtarak në kufirin tokësor e detar, si dhe incidentet në pritje në Kanalin e Korfuzit, përbënin sfondin aspak të qetë apo paqtues të rrethanave të zhvillimit të gjykimit.

Por rrethana kryesore rënduese ishte animi i Londrës në favor të Athinës lidhur me pretendimet absurde greke për aneksimin e Jugut të Shqipërisë. Efektet e këtyre përplasjeve gjeopolitike objektivisht nuk mund të mos ndikonin edhe brenda sallës së gjyqit.

Luftëtarë të një kauze të drejtë për Shqipëri demokratike, të akuzuarit ishin bërë pa dashur viktima të lojërave e përplasjeve që, shpesh, nuk kishin lidhje me idealet e tyre të pastërta demokratike.

Qëndresa

Vrasja e dy vëllezërve të Shkrimtares, Muntaz e Vesim Kokalarit, më 12 nëntor 1944, në prag të çlirimit të Tiranës, ishte një ndër goditjet më të ashpra në jetën e saj. Vëllezërit Kokalari nuk ishin të armatosur, nuk përbënin kurrfarë kërcënimi për ndërluftuesit. Krimi i pastër terrorist, i konsumuar “në zjarrin e luftës”, ishte në thelb një akt paburrërie.

Brenda muajit nëntor 1944, Musineja u arrestua dhe u lirua edhe dy herë të tjera. Në muajt e parë të Çlirimit, ajo e dinte mirë se ishte në tehun e shpatës, dhe prandaj punonte në Librarinë ‘Venus’ në Tiranë, duke u treguar kurdoherë e kujdesshme.

Në fillim të nëntorit Musinenë e viziton në dyqan Shaban Balla, ish-student në Institutin Bujqësor Shqiptaro-Amerikan në Kavajë dhe shofer pranë BMM-së. Fillimisht Musineja qëndroi e rezervuar dhe nuk i zuri besë. Më pas me të u takuan edhe Osman Kazazi, Sami Qeribashi, Suat Asllani e Xhemal Ferko.

Ishin përpjekjet shumëplanëshe të Bashkimit Demokrat Shqiptar. Mirëpo shkrimtaren e tërhiqte vetëm një qëllim: të shtyheshin zgjedhjet dhe të mundësohej pjesëmarrja në to e Partisë Social-Demokrate. Pak ditë më vonë grupi u mblodh në takim në shtëpinë e Ali Kavajës, edhe ky ish-nxënës i Shkollës së Kavajës.

Me propozim të Musinesë u ra dakord për përpilimin e një Shënimi, apo Note, e cila do t’u dërgohej Aleatëve. Qëndrimi i Musinesë kishte mbizotëruar: kërkohej mbështetje që të shtyheshin zgjedhjet dhe të mundësohej pjesëmarrja e partive të tjera. Shënimin e përpiloi dhe shkruajti Musineja, me dorën e vet. Shaban Balla i dorëzoi një kopje misionit britanik dhe atij amerikan.

Shkrimtarja u arrestua përfundimisht me 23 janar 1946. Një nga një ishin arrestuar edhe 36 persona të tjerë. Gjykimi kundër 37 të akuzuarve të organizatës “Bashkimi Demokrat” filloi me 18 qershor 1946. Akuza ishte komplot për përmbysjen e qeverisë, sabotazh, spiunazh, dhe përgatitjen e atentateve kundër udhëheqësve të vendit.

Sipas Musinesë, thelbi apo zanafilla e akuzës ishte Nota, apo Shënimi, përpiluar nga Shkrimtarja. Do të deklaronte Musine Kokalari në gjyq: “Janë tridhjetë e gjashtë veta të akuzuar këtu, në këtë gjyq. Katër grupe, tre prej të cilëve kanë vetëm një gjë të përbashkët – Një Shënim të nisur Aleatëve për të shtyrë zgjedhjet në mënyrë që një koalicion demokratik të merrte pjesë në to. Nuk ka pasur asnjë synim për rrëzim të qeverisë. Ishte thjesht për të patur zgjedhje demokratike”.

Në seancat e gjyqit doli më se qartë se 17 persona të akuzuar kishin patur kontakte të niveleve e dendurive të ndryshme me BMM-në. Emrat e përmendur ishin: Suad Asllani, Shaban Balla, Shefqet Beja, Profi Çoka, Qenan Dibra, Koço Dilo, Ali Jonuzi, Musine Kokalari, Gjergj Kokoshi, Jani Konomi, Professor Lozzi, Abdyl Muça, Anastas Llazar Papapostoli (Larry Post), Sami Qeribashi, Hasan Reçi, Selaudin Toto, dhe Kristo Xhunga. Pikërisht ato ditë, Jacobs do t’i telegrafonte nga Tirana Departamentit të Shtetit:

“Larry Post dëshmoi se kishte qenë i lidhur me opozitën qysh në maj të vitit të kaluar dhe kishte vepruar si ndërlidhës midis misioneve amerikane dhe britanike”. Telegrami përmend edhe lidhjet, të deklaruara në gjyq, midis të akuzuarve dhe oficerëve britanikë, Palmer, Smith e Hodgson. Ndërhyrja e oficerëve anglezë ishte, natyrisht, shkelje e marrëveshjes së pranimit, si dhe e praktikës zakonore në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kurse qëndrimi i Musinesë gjatë hetimeve dhe në gjyq ishte heroik. “Jam për kulturë demokratike. Jam dishepull e Sami Frashërit. Nuk jam komuniste”, u shpreh ajo gjatë hetuesisë. Musineja u mbrojt vetë, por nuk u lejua ta mbaronte fjalën e vet, akt i papranueshëm nën çdo standard, dhe pra krejt i pashembullt. Në fund ajo nuk kërkoi mëshirë, por vetëm drejtësi.

I qetë dhe i sigurtë në Londër…

Ndërkohë që në Tiranë zhvillohej gjyqi, ish-shefi në detyrë [Acting Head] i BMM-së në Tiranë, majori Arnot, do të raportonte me 30 qershor në Foreign Office si vijon: “Deklarimet e bëra në gjyqet në Shqipëri janë, në njëfarë sensi, të vërteta. Ato përfaqësojnë, pa asnjë dyshim, implikimet që shqiptarët e akuzuar kanë nxjerrë prej komenteve të mija…!

Pres që të dalin në dritë edhe shumë gjëra të tjera për kontaktet e mija me të akuzuarit e tjerë – Kokoshin, Asllanin, Shaban Ballën, Musine Kokalarin, Larry Postin, dhe ndofta edhe Profesor Lozzi-n, ndër të tjera….Jam shumë i lumtur që u largova dhe nuk ndodhem më në Shqipëri…”!

E pra, majori Arnot ishte i qetë dhe i sigurtë në Londër, por idealistët shqiptarë mbetën aty, në Shqipëri. Pa dashur të nënkuptojmë ndonjë përgjegjësi të BMM-së, në këtë përvjetor të 102-të të lindjes së Musine Kokalarit, mund të themi se ajo dhe të bashkë-akuzuarit e tjerë provuan skajshëm në kurriz jo vetëm dhunën e diktaturës komuniste, por edhe tejkalimet, t’i quajmë të çartura apo “naive”, të oficerëve britanikë.

Dëshmia e Llazar Papapostolit në gjyq, se në maj 1945 ai kishte kontaktuar opozitën dhe kishte shërbyer si pikë kontakti me misionin amerikan dhe britanik, ngre pyetje të ligjshme edhe në dritën e rrjedhës së mëtejme të ngjarjeve. Sikurse thamë, në nëntor 1945 ishte përpiluar Nota apo Shënimi i famshëm i Musinesë et al., e cila u ishte dërguar misioneve britanike dhe amerikane. Por cili kishte qenë qëndrimi i tyre?

Vite më vonë, Musineja do të shprehte zhgënjimin e saj të thellë për qëndrimin e Aleatëve Anglo-Amerikanë. Do të shkruante ajo nga Rrësheni: “Aleatët nuk ndërhynë fare tek qeveria. Ata heshtën. Ky ishte rast shumë i mirë që të tregonin se donin zgjedhje shumëpartiake. Dhe, prapëseprapë, ata nuk bënë asgjë. Përse vallë? Ndofta nuk donin që ne të arrestoheshim, pasi do të dilnin emrat tanë.

Reagimi i tyre ishte gjithsesi i gabuar. Një nga një, të gjithë ne u arrestuam dhe askush nuk mbeti në këmbë për të mbështetur idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, që ne të merrnim pjesë në to. Tani ne akuzoheshim për diçka shumë më serioze: komplot për përmbysjen e qeverisë.

Po të kishin qenë krejt të sinqertë, anglezët dhe amerikanët nuk do ta kishin problem të shpallnin se partitë demokratike nuk po lejoheshin të merrnin pjesë në zgjedhje. Ata kishin një dokument si provë të ekzistencës tonë, dhe zgjedhjet nuk ishin demokratike sepse nuk morën pjesë parti të tjera”.

Kjo enigmë e mundoi Musinenë për gjithë jetën. Ajo kurrë nuk arriti ta zbulojë misterin e heshtjes së madhe të Aleatëve të mëdhenj atë verë e vjeshtë të vitit 1945. Mirëpo, nga lartësitë e kohës së sotme na ndihmon një dokument i de-klasifikuar i arkivave amerikane, telegram i Jacobs dërguar Sekretarit të Shtetit. Memorie.alNga Agron Alibali