Në projektbuxhetin afatmesëm 2026–2028, qeveria ka parashikuar një rritje të ndjeshme të fondit për Shërbimin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duke e çuar atë në nivele gati dy herë më të larta krahasuar me vitin 2025.
Sipas tabelës zyrtare të shpenzimeve buxhetore sipas programeve, fondi për këtë zë rritet nga 2.4 miliardë lekë në vitin 2025 në 5.3 miliardë lekë në vitin 2028.
Rritja është graduale, por e fortë: për vitin 2026 parashikohen 2.3 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2027 fondi dyfishohet në 5.3 miliardë lekë, ashtu si edhe në vitin 2028.
Kjo do të thotë se, brenda tri vitesh, buxheti për shërbimin e kompensimit financiar të ish-pronarëve jo vetëm dyfishohet, por edhe vendoset në një nivel të ri stabël financimi.
Në fillim të vitit 2025, Agjencia e Trajtimit të Pronave kishte në proces shqyrtimi 7059 dosje dhe praktika, nga të cilat vetëm 115 dosje kishin përfunduar me vendim, ose rreth 1.6% e totalit.
Afati mesatar për trajtimin e një dosjeje vlerësohet nga 3 deri në 6 muaj, pa llogaritur vonesat që lindin kur çështjet kalojnë paralelisht në gjykatë.
Ndryshimet ligjore të ligjit 113/2015 zgjatën shqyrtimin administrativ të dosjeve deri në dhjetor 2027 dhe shpërndarjen e kompensimeve financiare deri në vitin 2028.
Në thelb, rritja dyfish e buxhetit për shërbimin e kompensimit të pronave deri në vitin 2028 është tregues i qartë se problematika e pronës mbetet një nga detyrimet më të mëdha të prapambetura të shtetit shqiptar.







