Ballina Politika Protesta e opozitës/ Këlliçi: Rama jep dorëheqjen! Ky shesh nuk po kërkon...

Protesta e opozitës/ Këlliçi: Rama jep dorëheqjen! Ky shesh nuk po kërkon por po vendos

38
0

Deputeti Belind Këlliçi është i pari që po mban fjalimin në protestën kombëtare të opozitës para kryeministrisë.

Këlliçi tha se Rama duhet të japë dorëheqjen si emergjencë për vendin.

Fjala e plotë 

Për të gjithë ata që kanë një pyetje, ku është Partia Demokratike dhe opozita, ndizni dritat e telefonave! Ta shohin të gjithë shqiptarët, ku është populli opozitar! Ku është Partia Demokratike e Shqipërisë!

Të nderuar qytetarë, ne sot nuk jemi mbledhur për një ritual politik, as për një protestë të radhës. Sot jemi këtu si misionarë. Jemi këtu për të bërë histori dhe për të thënë të vërtetën. Ky pushtet ka mbaruar! Edi Rama duhet të japë dorëheqjen tani, jo nesër, jo pas zgjedhjeve, jo kur t’i leverdisë atij. Tani! Këtu, krah nesh, në hijen e pushtetit që mishëron kjo godinë, ka disa kohë që luhet një dramë e madhe. Frikë, dhunë, shantazh, thika pas shpine dhe tradhti mes ortakësh. Zija ka rënë në pallatin e korrupsionit. Gjumi i tyre është prishur përfundimisht. Ata hyjnë e dalin nga kjo godinë, jo për të qeverisur, por për dy arsye: për të zhdukur provat e krimeve dhe për të mbledhur prova kundër njëri-tjetrit. Visi ka ruajtur mesazhet e Ballukut, Balluku ka ruajtur mesazhet e Palloshit, ndërsa Gysi i ka filmuar të gjithë. Kamera të fshehta, telefonata të regjistruara, USB të ruajtura, përgjime në kasaforta, të gjitha mes bandës kriminale që ende guxon dhe e quan veten qeveri. Ndërsa kreu i organizatës, Edi Rama, nuk di më as kë të mbrojë dhe as kë të lëshojë.

Miliarda euro të grabitura në çdo tender, në çdo kantier dhe në çdo pasuri publike e private, sot nuk i bëjnë më derman. Sepse të nderuar qytetarë, ju e dini tashmë se mekanizmi përbindësh ka rënë. Me paratë dhe pasuritë e shqiptarëve, kjo bandë siguroi për 13 vite me radhë: vota, aleanca, mbështetje, lobim ndërkombëtar, media të kontrolluara, krim dhe luks të shfrenuar personal. E gjithë kjo makineri u mbajt gjallë mbi frikën, presionin, dhunën ndaj qytetarëve, mbi shpopullimin masiv dhe përpjekjen e vazhdueshme për të likuiduar opozitën. Miliarda euro të zhdukura nga xhepat tanë, bashkë me shëndetin, edukimin, sigurinë rrugore, atë ushqimore dhe cilësinë e jetës. Kjo bandë detyroi të ikin nga sytë këmbët plot 1.1 milionë shqiptarë.

Ama sot, të nderuar qytetarë, historia është përmbysur. Ata që kanë frikë, ata që kërkojnë të arratisen, ata që fshihen, ata që nuk dalin më para njerëzve, janë pikërisht këta që qeverisnin kriminalisht për më shumë se një dekadë. Ndaj sot, dua t’u drejtohem të gjithë juve dhe mbi të gjitha, kreut të opozitës dhe të Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha. I drejtohemi të gjithë demokratëve që nuk u përkulën, qytetarëve që nuk e shitën dinjitetin, gazetarëve dhe njerëzve publikë që nuk u blenë. Ju që denoncuat, ju që qëndruat, që folët atëherë kur ishte shumë e rrezikshme që të flisje. Ja ku jemi dhe sa shumë që jemi.

Sot jemi këtu edhe për të dhënë një mësim final politik, mësimin më të vyer që një popull mund t’i japë mandatarëve të vet. Mandati nuk është pronë, nuk është privilegj, nuk është licencë për të vjedhur. Kush merr mandat është shërbytor i qytetarëve, e jo pronar i shtetit. Nëse vjedh, largohesh. Nëse shkel besimin, mandati mbaron. Nëse e trajton shtetin si plaçkë, do të përgjigjesh para ligjit. Dhe miq, o sot o kurrë! Sepse ajo që do të vendosim sot do të jetë një precedent për të ardhmen, një precedent që nuk do ta arrijë më askush ta përmbysë. Askush nuk ka imunitet nga zemërimi qytetar. Askush nuk mund të ushqejë iluzionin se kur qeveris kundër popullit, të pret qetësia. Edi Rama duhet ta japë dorëheqjen tani, edhe si një akt i një emergjence kombëtare. Sepse Edi Rama ka kohë, dashur miq, që nuk është më kryeministër, por është kapobanda i një sistemi abuzues, grabitës, shkatërrues dhe shpopullues.

Por, kur reziston, kur nuk i nënshtrohesh as edhe një pazari, ja ku vjen dhe përmbysja finale, ajo më e paimagjinueshmja. Ata që na mbanin ne nën frikë, sot jetojnë me frikë. Ata që na shantazhonin, sot shantazhohen mes tyre. Ata që predikonin stabilitet, sot nuk kontrollojnë më as hijen e vet. Shqipëria është në një moment shumë të vështirë, por edhe buzë një shprese të re, sepse zgjidhjet, kapacitetet dhe njerëzit janë këtu. Ky vend nuk ka marrë fund. Fundi po u vjen atyre që investuan që kjo të ndodhte. Demokracia, miq, nuk vdes në një ditë, vdes vetëm kur njerëzit binden se nuk ka alternativë. Dhe për këtë mashtrim të ndyrë u investua ky pushtet me karlo mediat e tij. Alternativë ka.

E nisëm betejën kundër grupit të strukturuar kriminal 5D dhe ishim shumë pak. Thoshin se nuk keni për t’ia dalë, se janë shumë të fortë, kanë miliarda dhe janë të frikshëm. Qëndruam, protestuam për 44 javë rresht, denoncuam çdo ditë dhe depozituam dosje pafund. Ku janë sot ata? Të gjithëpushtetshmit që blenin votat e Tiranës, janë të gjithë në burg bashkë me Erionin e tyre, me kryetarin e tyre. E njëjta histori me Ballukun. Na u turrën se e kemi të kotë. Bela-mafia nuk preket, është më e fortë se Rama. Denoncuam tunelin, denoncuam lotet e rrugëve, Tigrin 1 dhe Tigrin 3, kishin ARRSH-në, dhe ja ku po i vjen ora dhe Ballukut, me gjithë bandën e saj, nëpër burgje, arreste dhe ndjekje penale.

Por, të dashur miq, ne të gjithë së bashku do ta bëjmë dhe aktin e fundit pa na u dridhur qerpiku. Ne do ta largojmë edhe Edi Ramën. Këmbanat që po bien, po u kujtojnë se pushteti nuk është i përjetshëm. Ky shesh sot nuk po kërkon, por po vendos. Ky është mësimi, ky është precedenti. Shqiptarët nuk rrëzojnë shtetin, shqiptarët rrëzojnë abuzimin. Populli të vendosë dhe është populli që të heq. Sot këtu është vetëm fillimi. Dorëheqje Edi Rama! Dorëheqje, dorëheqje, dorëheqje!

Dhe para se ta mbyll, kam një mesazh personal për kamikazin në krye të komisariatit numër katër në Tiranë, Feliks Hodajn. Ti banditi i keqpërdorur. Harroje shantazhin ndaj demokratëve me ato deklaratat që kërkoje sot me shkrim, që kërkoje t’i firmosnin demokratët për të mos marrë pjesë në protestat kundër këtij narko-shteti. Ne nuk llogarisim kreun e narko-shtetit, e jo më të të llogarisim ty. Guxo ti dhe shefat e tu, dhe një herë të vetme, t’i bini në qafë demokratëve dhe do të merremi personalisht me ju, një e nga një. Forca qytetarë, bashkë do ja dalim! Fitore, fitore, fitore!