Ballina Aktualitet Tenderi 400 mln euro i portit të ri të Durrësit, SPAK fillon...

Tenderi 400 mln euro i portit të ri të Durrësit, SPAK fillon hetimet

79
0

Dosja tenderuese për ndërtimin e Portit të Integruar të Durrësit në Porto Romano, me vlerë rreth 400 milionë euro, është referuar për hetim në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Referimi është bërë në formën e një kallëzimi penal, ku ngrihen dyshime për shkelje të rënda të ligjit të prokurimit publik, favorizim të një subjekti të vetëm dhe konflikt interesi.

Sipas kallëzimit, e vetmja kompani që u la në garë dhe u ftua të paraqiste ofertë ishte ARCHIRODON, e regjistruar zyrtarisht si filial qipriot, por që në komunikimet publike është prezantuar si kompani greke me seli në Holandë. Në dokument thuhet se kompanitë e tjera ndërkombëtare pjesëmarrëse janë skualifikuar që në fazën e parakualifikimit, pa iu dhënë mundësia të dorëzonin ofertë ekonomike.

Në kallëzim pretendohet se skualifikimet janë bërë për “pasaktësi të vogla në dokumentacion dytësor” ose përmes interpretimeve të diskutueshme të rregullave të tenderit, ndërsa ndaj kompanisë së mbetur në garë është aplikuar trajtim më tolerant. Për këtë arsye, në SPAK janë kallëzuar drejtues institucionesh dhe zyrtarë publikë, me pretendimin se kanë favorizuar një subjekt të paracaktuar.

Një pjesë e rëndësishme e kallëzimit lidhet me rolin e kompanisë Royal Haskoning DHV (RH), e cila, sipas dokumenteve, është kontraktuar nga Autoriteti Portual Durrës për hartimin e dokumenteve të tenderit, vlerësimin e ofertave dhe supervizimin e punimeve, me një kontratë shërbimi të lidhur përmes negocimit të drejtpërdrejtë, me vlerë mbi 12 milionë euro. Në kallëzim thuhet se kjo kontratë është lidhur në shkelje të ligjit, pasi RH ishte njëkohësisht edhe kompania që kishte hartuar projektin teknik të portit, çka përbën konflikt interesi sipas legjislacionit në fuqi.

Po ashtu, referohet se Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe grupet monitoruese kanë konstatuar shkelje dhe mangësi serioze në punën e dorëzuar nga RH, megjithatë kompania është rikthyer sërish në kontraktim për shërbime të tjera, përfshirë prokurimin dhe supervizimin.

Në kallëzim ngrihen dyshime edhe për mënyrën e përjashtimit nga gara të disa prej kompanive më të mëdha ndërtuese në botë, përfshirë konsorciume ndërkombëtare nga Kina, Belgjika, Franca, Italia dhe Holanda, të cilat, sipas pretendimeve, plotësonin kriteret teknike dhe financiare. Ndërkohë, sipas kallëzimit, është e paqartë se si subjekti fitues ka përmbushur kriteret e kërkuara, duke pasur parasysh mungesën e referencave për punime të ngjashme.

Një tjetër element i përmendur është fakti se ARCHIRODON ka qenë ofertuesi i vetëm dhe në fazën e parë nuk ka depozituar garancinë bankare prej rreth 8 milionë eurosh, e cila më pas është hequr si kërkesë kur procedura është rihapur. Po ashtu, sipas kallëzimit, kompania ka kërkuar që pagesat të mos kryhen në lekë dhe që arbitrazhi të zhvillohet jashtë Shqipërisë, në kundërshtim me kushtet e përcaktuara në dokumentet e tenderit.

Në dokument përmenden edhe dyshime për përfshirjen e një kompanie shqiptare si partnere ose mbështetëse në përgatitjen e ofertës, kompani e cila, sipas kallëzimit, ndodhet nën hetim për tendera të tjerë me vlerë rreth 120 milionë euro në sektorin e infrastrukturës.

SPAK pritet të shqyrtojë kallëzimin dhe dokumentacionin shoqërues për të vlerësuar nëse ka elementë të veprave penale, si shpërdorim detyre, shkelje e barazisë në tendera dhe korrupsion. Deri në një njoftim zyrtar nga organi i akuzës, çështja mbetet në fazën e verifikimit paraprak.