Sikurse në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Beogradi zyrtar sërish ka tentuar të mashtrojë qytetarët serbë të Kosovës me shpalljen e një konkursi për 300 vende të reja pune në institucionet shëndetësore ilegale në Kosovë.
“Njëkohësisht, është në proces një konkurs për 50 vende të reja pune në institucionet shëndetësore në Kosovë, i cili u hap më 22 dhjetor 2025. Në këtë mënyrë, do të hapen 350 vende të reja pune në sistemin shëndetësor serb në Kosovë, që do të thotë jetë për qëndrimin dhe mbijetesën e popullit tonë në këtë zonë”, ka thënë e ashtuquajtura Zyra për Kosovë në qeverinë serbe.
Në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, kjo zyre pretendoi se këtë po e bën për të treguar “kujdesin e qartë të shtetit të Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq për popullin e tyre në Kosovë”.
“Gjithashtu theksojmë se në gjysmën e dytë të janarit, 700 veta staf mjekësor dhe jo-mjekësor do të punësohen pas një konkursi të zhvilluar më parë, i cili, me këtë rritje të fundit të numrit të vendeve të punës, është një ndihmë e madhe nga shteti i Serbisë dhe Ministria e Shëndetësisë, e kryesuar nga Ministri Zlatibor Lonçar, për institucionet serbe të kujdesit shëndetësor në Kosovë”, vazhdon njoftimi.







