Ballina Ekonomia Rritet dogana e automjeteve/ Qeveria cakton çmimet e reja të referencës

Rritet dogana e automjeteve/ Qeveria cakton çmimet e reja të referencës

46
0

Automjetet e përdorura të importuara nga vende të ndryshme, si Korea, Kina apo Europa do të zhdoganohen me çmime të reja reference. Udhëzimi i Ministrisë së Financave, i botuar në Fletoren Zyrtare, “Për vlerësimin e mallrave për qëllime doganore”, tashmë në fuqi, sjell dhe një rritje të ndjeshme të çmimeve referuese për zhdoganimin e automjeteve.

Për autoveturat, rritja e çmimeve minimale prek të gjitha kategoritë e cilindratave.

Në udhëzimin e vitit 2018, për automjetet deri në 1400 cc vlera minimale e zhdoganimit ishte 130 mijë lekë, ndërsa me udhëzimin e ri kjo vlerë rritet në 162.5 mijë lekë, ose rreth 25% më shumë. Për kategorinë mbi 1400–1900 cc, pragu minimal kalon nga 200 mijë lekë në 250 mijë lekë, duke reflektuar sërish një rritje prej rreth 25%. E njëjta logjikë vijon edhe për cilindratat më të larta: nga 325 mijë lekë në 406 mijë lekë për segmentin 1900–2500 cc, nga 400 mijë lekë në 500 mijë lekë për 2500–3000 cc, nga 500 mijë lekë në 625 mijë lekë për 3000–4500 cc dhe nga 800 mijë lekë në 1 milion lekë për automjetet mbi 4500 cc.

Po ashtu, rritje pëson edhe referenca e zhdoganimit për kamionçinat, furgonët dhe kamionët.

Në udhëzimin e vitit 2018, për mjetet deri në 1.5 tonë pragu minimal ishte 400 mijë lekë, ndërsa udhëzimi i ri e çon këtë vlerë në 500 mijë lekë. Për segmentin 1.5–3.5 tonë, vlera minimale rritet nga 600 mijë lekë në 750 mijë lekë, ndërsa për mjetet 3.5–10 tonë nga 850 mijë lekë në rreth 1.06 milion lekë.

Për kamionët 10–15 tonë, pragu rritet nga 1 milion lekë në 1.25 milion lekë dhe për ata mbi 15 tonë nga 1.2 milion lekë në 1.5 milion lekë.

Rritja e çmimeve të referencës pritet të sjellë dhe një efekt në rritjen e çmimeve finale për automjetet e përdorura që importohen dhe shiten në tregun vendas. Nga ana tjetër kjo politikë favorizon edhe blerjen e automjeteve me zero kilometrazh nga koncesionarët në vend.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, për periudhën Janar-Nëntor 2025, 89.654 mjete janë regjistruar për herë të parë, nga të cilat 73.066 autovetura.  Mbi 55.2% kanë moshë 8- 15 vite,  25% mbi 15 vite, 5.1 % 5-7 vite, dhe 14.7 % 0-4 vite. Korea e Jugut është në krye të listës sa i takon importit, ndjekur nga Gjermania, Italia, Kina dhe Zvicra.