Ballina Politika Aeroporti i Vlorës dhe tuneli i Llogarasë qoka të Edi Ramës për...

Aeroporti i Vlorës dhe tuneli i Llogarasë qoka të Edi Ramës për Erdoganin, presidenti “shpërblen” kryeministrin…

44
0

Qeveria e Turqisë do t’i dhurojë qeverisë shqiptare një avion VIP Airbus A319-115J, i konfiguruar për përdorim qeveritar, në kuadër të një marrëveshjeje bilaterale mes dy vendeve. Marrëveshja është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe parashikon kalimin e plotë të pronësisë pa asnjë detyrim financiar për palën shqiptare, ndërsa të gjitha kostot e transferimit do të mbulohen nga pala turke. Avioni, me regjistrim TC-GVC dhe numër serial 1002, është prodhuar në shkurt të vitit 2000 dhe rezulton i certifikuar për operime ajrore. Sipas mediave turke, dhurimi bëhet, sipas marrëveshjes, për të forcuar marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin strategjik mes Shqipërisë dhe Turqisë, të ndërtuara mbi Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit të vitit 1992, si dhe për të thelluar bashkëpunimin institucional, teknik dhe në fushën e mbrojtjes. Një prej avionëve Airbus A319 të kësaj kompanie ishte përdorur ndër vite si charter për udhëtime zyrtare të Ramës. Në këtë kontekst, dhurimi nga presidenti turk Erdogan shihet si një lëvizje që garanton vijimësinë e transportit ajror qeveritar, duke bërë që Rama të mos mbetet pa charter personal pas falimentit të Air Albania. Por çfarë fshihet pas kësaj lëvizjeje surprizë.

A e “shpërbleu” Erdogan-Ramën pas qokave të “Llogarasë” dhe aeroportit të Vlorës?

Vetëm pak ditë më parë në media qarkulluan përgjimet nga dosja hetimore e vartëses së tij, Belinda Balluku në të cilat pretendohej se favorizonte kompanitë turke për tenderat e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë. Dokumentet e SPAK tregojnë se kompania turke “A S L İNŞAAT”, e drejtuar nga Abdulkadir Kart – një investitor i njohur personalisht dhe rekomanduar nga presidenti Rexhep Tajip Erdogan  u përzgjedh për ndërtimin e tunelit jo për garë të hapur, por si një “porosi” e drejtpërdrejtë nga kreu i shtetit turk. Një skenar të ngjashëm përshkruhet edhe në rastin e Aeroportit të Vlorës, ku biznesmeni turk Hysen, mik i ngushtë i Erdoganit, propozoi partneritetin me miliarderin shqiptar Behgjet Pacolli me porosi të presidencës turke, duke krijuar konsorciumin që mori koncesionin e projektit.  Gjithashtu përveç tunelit të Llogarasë, emri i Erdoganit del dhe te koncesioni i Aeroportit të Vlorës. Disa ditë më parë, në një rrëfim të biznesmenit miliarder Behgjet Pacolli u  hodh më shumë dritë për mënyrën se si bëhen “garat” e koncesioneve të mëdha në Shqipëri, ku personat dhe kompanitë paracaktohen paraprakisht. Pacolli deklaroi publikisht se ai ishte futur në lojë në ndërtimin e aeroportit të Vlorës nga një biznesmen turk, mik i presidentit Erdogan. Ai tha se turku me emrin Hysen e kishte telefonuar për t’i propozuar ta ndërtonin bashkë aeroportin.  Çështja nuk është thjesht zgjedhja e kompanive, por mënyra se si politika dhe ndikimi ndërkombëtar përcaktojnë fituesit e projekteve strategjike, ndërsa Edi Rama duket të ketë luajtur rolin e ndërmjetësit për të përmbushur “porositë” e presidentit turk.

Shkrimi i përkthyer i TurkyieToday për avionin dhuratë të Erdogan për Edi Ramën

“Kompania flamurmbajtëse e Turqisë, Turkish Airlines, do t’i transferojë qeverisë shqiptare pronësinë e një avioni Airbus A319-115J, një avion i konfiguruar për përdorim qeveritar, me vlerë 11.9 milionë dollarë, në bazë të një marrëveshjeje dypalëshe dhurimi, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar lidhjet diplomatike dhe ekonomike mes dy vendeve. Sipas marrëveshjes së publikuar të enjten në Fletoren Zyrtare, avioni, i regjistruar me kodin TC-GVC, me numër serial 1002 dhe i prodhuar në shkurt të vitit 2000, mbetet i certifikuar për operime fluturimi. Marrëveshja Turqi-Shqipëri synon të forcojë partneritetin strategjik. Në tekstin e marrëveshjes thuhet se dhurimi ka për qëllim të përforcojë “marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë” mes Turqisë dhe Shqipërisë, të vendosura fillimisht në Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 1992. Të dyja palët shprehin dëshirën për t’i thelluar më tej këto lidhje përmes bashkëpunimit teknik dhe atij në fushën e mbrojtjes. Marrëveshja pasqyron angazhimin e përbashkët të dy vendeve për të thelluar partneritetet institucionale në aviacionin civil, logjistikën e mbrojtjes dhe sektorë të tjerë strategjikë më të gjerë, duke shërbyer njëkohësisht edhe si një gjest simbolik i mbështetjes së Turqisë për zhvillimin rajonal dhe përpjekjet integruese të Shqipërisë. Avioni do të dorëzohet pa asnjë detyrim financiar për palën përfituese, ndërsa Turqia do të mbulojë të gjitha kostot e transferimit.

Varianti VIP A319 i shtohet flotës shqiptare

Airbus A319-115J është një variant i personalizuar i modelit standard A319-100, pjesë e familjes A320, një nga seritë e avionëve me një korridor më të përdorura në botë. Avioni ka një peshë maksimale në lëvizje në pistë prej 75,900 kilogramësh dhe një peshë bazë bosh prej 44,790 kilogramësh. Ai është i pajisur me dy motorë CFM56-5B7/P, secili me mbi 7,000 cikle fluturimi të mbetura, dhe ka të instaluar sistemin AS400 airshoë, ndërsa nuk disponon sisteme argëtimi apo lidhjeje gjatë fluturimit. Edhe pse A319-115J nuk është një klasifikim tregtar që përdoret në oraret publike të fluturimeve, ky variant shfaqet shpesh në flotat ushtarake, qeveritare ose diplomatike, përfshirë ato të vendeve anëtare të NATO-s dhe qeverive aleate. Në pronësi të fondit sovran turk, Turkish Airlines operon një nga flotat më të mëdha ajrore në botë, me gjithsej 515 avionë sipas të dhënave më të fundit. Brenda kësaj flote përfshihen edhe gjashtë avionë Airbus A319-100, të cilët përdoren kryesisht për linja të shkurtra dhe të mesme, si dhe për operime rajonale.”