Ballina Bota Burri vret gruan, qëllon vajzën 13-vjeçare dhe kryen vetëvrasje pas një grindjeje...

Burri vret gruan, qëllon vajzën 13-vjeçare dhe kryen vetëvrasje pas një grindjeje të vogël

26
0

Një incident i vogël familjar u shndërrua në një tragjedi të përgjakshme në Florida kur një burrë 47-vjeçar, nën ndikimin e alkoolit, vrau gruan e tij, qëlloi në fytyrë vajzën e tij 13-vjeçare dhe më pas vrau veten, sipas autoriteteve lokale.

Sipas Sherifit të Qarkut Polk, Grady Judd, 47-vjeçari Jason Kenney ishte nën ndikimin e alkoolit kur u grind ashpër me gruan e tij, Crystal Kenney, sepse ajo i kërkoi të mbyllte ndeshjen e NFL midis San Francisco 49ers dhe Indianapolis Colts, e cila po transmetohej në “Monday Night Football”.

Tensioni ishte aq intensiv sa thuhet se Crystal Kenney i kërkoi djalit të saj 12-vjeçar të telefononte policinë. Fëmija vrapoi në panik drejt shtëpisë së një fqinji, nga ku dëgjoi disa të shtëna me armë zjarri, raporton NYPost.

Kur oficerët mbërritën në shtëpinë e familjes, e gjetën gruan të vdekur nga një plagë me armë zjarri, ndërsa vajza e saj 13-vjeçare ishte qëlluar në fytyrë dhe shpatull. E mitura u dërgua në një spital lokal në gjendje kritike, por ajo mbijetoi dhe dha një deklaratë para autoriteteve.

“I lutesha, ‘Mos më qëllo, mos më qëllo’, por ai më qëlloi gjithsesi”, thuhet se u tha ajo oficerëve, sipas sherifit.

Djali 12-vjeçar i familjes nuk u lëndua, ndërsa vajza njëvjeçare e çiftit u gjet e sigurt, duke fjetur në krevatin e saj. Jason Kenney ishte njerku i dy fëmijëve më të mëdhenj të gruas.

Pas vrasjes, 47-vjeçari doli nga shtëpia dhe telefonoi motrën e tij, e cila jeton në New York, duke i thënë se kishte “bërë diçka shumë të keqe” dhe se ata nuk do të flisnin më kurrë. Më pas ai shkoi në shtëpinë e babait të tij, ku u gjet nga autoritetet. Ndërsa oficerët përpiqeshin ta bindnin të dilte nga një hangar në oborr, burri qëlloi veten dhe vdiq.

Gjatë kontrollit të shtëpisë së familjes, oficerët gjetën një shënim që Crystal Kenney i kishte shkruar burrit të saj, në të cilin ajo e nxiste të kërkonte ndihmë për problemet e tij me varësinë. “Po pi, po përdor përsëri kokainë. Kjo nuk është mënyra se si duhet të funksionojë një familje. Ke nevojë për Zotin”, thuhej në shënim.

Fëmijët që i mbijetuan tragjedisë janë lënë nën kujdesin e gjyshërve të tyre. “E gjithë familja u shkatërrua”, tha Sherifi Grady Judd, duke përshkruar një skenë që tronditi edhe oficerët e policisë me përvojë. “Kishte një pemë të bukur Krishtlindjesh, me dhurata poshtë saj, ashtu siç do të ishte një familje normale. E megjithatë, gjithçka mbaroi aty.”