Ballina Kuriozitete ​Delja e modifikuar gjenetikisht mund të ndryshojë prodhimin e mishit në Indi

​Delja e modifikuar gjenetikisht mund të ndryshojë prodhimin e mishit në Indi

24
0

Delja e parë e modifikuar gjenetikisht në Indi, e quajtur Tarmeem, festoi së fundmi ditëlindjen e saj të parë.

Shkencëtarët thonë se Tarmeem, emri i të cilit do të thotë “modifikim” në gjuhën arabe, u lind më 16 dhjetor 2024 në Kashmir, dhe zhvillimi i saj i suksesshëm përfaqëson një hap të rëndësishëm për shkencën, shkruan BBC.s.

Tarmeem jeton në një kafaz të veçantë në Universitetin Bujqësor Sher-e-Kashmir në Srinagar, së bashku me motrën e tij binjake jo të modifikuar gjenetikisht.

Shkencëtarët shpjeguan se si e përdorën teknologjinë revolucionare CRISPR, e cila funksionon si një “gërshërë biologjike” për të ndryshuar me saktësi ADN-në.

“Ne morëm një numër embrionesh nga delet shtatzëna dhe modifikuam një gjen specifik, i njohur si gjeni i miostatinës, i cili ndikon negativisht në rritjen e muskujve”, shpjegoi studiuesi Suhail Magray.

Pas modifikimit, embrionet u mbajtën në laborator për disa ditë dhe më pas u transferuan te një nënë zëvendësuese.

“Pastaj natyra mori përsipër. 150 ditë më vonë, lindën qengjat. Qëllimi ynë ishte të rrisnim masën muskulore te delet dhe duke eliminuar gjenin e miostatinës, ia arritëm”, tha Magray.

Profesori Riaz Shah, dekan i Fakultetit të Shkencave Veterinare dhe udhëheqës i projektit, konfirmoi për BBC se delja Tarmeem po përparon mirë dhe ka rritje të muskujve rreth 10% më shumë krahasuar me binjakun e saj të pa modifikuar.

Edhe pse delet janë modifikuar gjenetikisht për dekada, kryesisht për qëllime kërkimore dhe mjekësore, për ekipin e tetë shkencëtarëve nga India rruga drejt këtij suksesi zgjati plot shtatë vjet.

Shkencëtarët janë optimistë se ky sukses mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemit të mungesës së mishit të deles në Kashmir.

“Vendi ynë ka mungesë të mishit të deles, por redaktimi gjenetik mund të rrisë peshën trupore të deleve me 30 për qind. Kjo do të ishte shumë e dobishme për prodhimin e qëndrueshëm të ushqimit sepse do të thoshte që më pak kafshë mund të ofrojnë më shumë mish”, tha profesor Nazir Ahmad Ganai.

Nëse qeveria e miraton teknologjinë, profesor Ganai beson se mund të përdoret për të rritur delet dhe më vonë kafshë të tjera.

Teknologjia e redaktimit gjenetik, e zbuluar më 2012, u fitoi shpikësve të saj Çmimin Nobel në vitin 2020, por është ende objekt debati etik. Qëndrimet ndaj kësaj teknologjie ndryshojnë në të gjithë botën. Vende të tilla si Argjentina, Australia, Brazili dhe Japonia i trajtojnë disa kafshë të modifikuara gjenetikisht si natyrale dhe lejojnë konsumin e tyre.

SHBA dhe Kina po e përdorin teknologjinë për të krijuar kafshë më “produktive”, dhe Mbretëria e Bashkuar do të lejojë ushqim të modifikuar gjenetikisht në vitin 2026. Ndërsa, në Bashkimin Evropian, kufizimet mbeten të rrepta, megjithëse Parlamenti Evropian votoi në vitin 2024 për të zvogëluar mbikëqyrjen e kulturave të krijuara me këtë metodë.