Me hyrjen në fuqi të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 425, datë 26 qershor 2024, një kategori mësuesish është përballur me ulje page, si pasojë e ndryshimit të grupit të pagës që lidhet me vlerësimin e diplomës.
Sipas Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, vendimi ka prekur mësues që kanë qenë pjesë e sistemit arsimor përpara miratimit të VKM-së, duke cenuar statusin e tyre profesional dhe të drejtat e fituara ndër vite.
Për këtë problematikë janë zhvilluar disa takime me Ministrinë e Arsimit, gjatë të cilave është pranuar se zhvlerësimi i diplomave për këtë kategori mësuesish është bërë gabimisht. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur një zgjidhje të formalizuar, ndërsa sindikatat vijojnë të kërkojnë ndërhyrje institucionale.
Presidenti i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, Nevrus Kaptelli, thekson se zhvlerësimi i diplomave nuk duhej të kishte asnjë ndikim financiar për mësuesit që tashmë ishin pjesë e sistemit arsimor. Sipas tij, kjo situatë prek rreth 6 mijë mësues në të gjithë vendin.
Ndërkohë, çështja është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese nga një shoqatë, ndërsa sindikatat u bëjnë thirrje mësuesve që të mos bien pre e keqinformimeve apo premtimeve të rreme, duke kërkuar zgjidhje ligjore dhe të qëndrueshme për situatën e krijuar.







