Ballina Ekonomia 33% e investimeve të huaja në Shqipëri për 9-mujorin ishin për pasuri...

33% e investimeve të huaja në Shqipëri për 9-mujorin ishin për pasuri të paluajtshme

27
0

Të huajt dhe shtetasit e tjerë jo-rezidentë kanë investuar rreth 1.2 miliardë euro në Shqipëri. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, investimet e huaja direkte u rritën me 4.4% krahasuar me periudhën janar-shtator të 2024.

Tremujori i tretë i këtij viti ka shënuar një rekord historik prej 449 milionë eurosh investime të huaja, duke u rritur me 12.8% llogaritur me tremujorin paraardhës.

Pasuritë e paluajtshme vijojnë të jenë sektori më tërheqës për të huajt. Megjithatë, surpriza qëndron në tregtinë me shumicë dhe pakicë, riparimi i automjeteve dhe motorçikletave, sektor me një kapërcim investimesh nga 30 milionë euro në tremujorin e dytë në 70 milionë euro në tremujorin e tretë. Ky është aktiviteti ekonomik që ka parë një “boom” investimesh të huaja në korrik-shtator.

Gjithashtu edhe ndërtimi po shihet si një sektor me shumë potencial nga të huajt, i cili rezulton me një rritje më të madhe investimesh se sektori i tregtisë.

Nga ana tjetër, megjithëse aktivitetet financiare dhe të sigurimit janë sektori i dytë me më shumë investime të huaja pas atij të pasurive të paluajtshme, vlera e tyre rezulton të jetë fiksuar në 72 milionë euro, pa asnjë ndryshim pas rënies në fillim të vitit.

E thënë ndryshe, sipas sektorëve, pasuritë e paluajtshme përbëjnë 33.4% të totalit të investimeve të huaja direkte në Shqipëri në tremujorin e tretë, ndjekur nga riparimi i mjeteve dhe tregtia me shumicë e pakicë me 15.6%, aktivitetet financiare dhe të sigurimit zënë 16% të investimeve, industria nxjerrëse 8%, energjia elektrike, gazi dhe uji 7.6%, ndërtimi 5.8%, industria përpunuese 4.2% apo informacioni dhe komunikacioni 3.6%.

Megjithëse industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese përthithin investime të konsiderueshme, tremujori i tretë ka shënuar një bilanc negativ për këto dy sektorë. Statistikat tregojnë një rënie të investmeve në 36 milionë euro për industrinë nxjerrëse dhe 19 milionë euro për atë përpunuese.

Ndërkohë, sektori i energjisë elektrike, gazit dhe ujit vijon të performojë mirë për sa i përket tërheqjes së investimeve nga jashtë.

Vetëm 3 sektorë, pasuri të paluajtshme, financë/sigurime dhe tregti përbëjnë rreth 65% të totalit të investimeve të huaja direkte në tremujorin e tretë 2025./Scantv