Ish-presidenti Ilir Meta, i paraburgosur me kërkesë të SPAK dhe vendim të GJKKO-së në burgun 313 prej 23 tetorit të vitit 2024, ka kallëzuar penalisht drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qose, duke pretenduar se ky i fundit i ka mohuar ushtrimin e lirive personale dhe politike përtej kufizimeve të domosdoshme të paraburgimit.
Në padinë e kreut të Partisë së Lirisë thuhet se drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve i ka mohuar komunikimin me median dhe gazetarët, të drejtat politike, takimet me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe eurodeputetë, takimet me organet drejtuese të Partisë Lirisë dhe pretendohet se këto privime nuk janë të bazuara në vendime individuale të arsyetuara, nuk justifikohen me rrezik konkret për procesin penal dhe kanë karakter të përgjithshëm, absolut e ndëshkues.
Gjithashtu, ish-presidenti thotë në padinë e tij se Qose nuk ka reflektuar as rekomandimet e bëra nga Avokati i Popullit, i cili kreu një hetim lidhur me kushtet e trajtimit të Metës në ambientet e paraburgimit dhe rrugës së ndjekur për arrestimin e tij.
1- Të rishqyrtohet menjëherë masa e kufizimit të komunikimeve telefonike dhe takimeve ndaj z. Ilir Metaj, duke vlerësuar …..
2- Shuarjen e menjëhershme të “masës së përkohshme” për ndalimin e komunikimit të z. Ilir Metaj me z. Tedi Blushi.
3- Të garantohet e drejta për ankim ndaj çdo mase kufizuese, duke informuar personin për mënyrën dhe afatet e ushtrimit të këtij mjeti mbrojtje.
4- Të garantohet e drejta që i burgosuri të kryej më shumë se 4 (katër) vizita në muaj…..
5- Zbatimin me korrektësi të ligjit për të siguruar që subjekti të kryej vizita në IEVP dhe takime konfidenciale pa miratimin të prokurorit…
6- Të sigurohet që biseda telefonike të burgosurve të kufizohen në zbatim të kritereve të ligjit nr. 81/2020, vetëm me vendim të prokurorit ose gjykatës.
7- Të forcohen mekanizmat e brendshëm të kontrollit administrativ në sistemin e burgjeve në mënyrë që bisedat telefonike të burgosurve të kufizohen vetëm në zbatim të kritereve të ligjit nr. 81/2020, dhe Kodit Procedurës Administrative, me një akt administrativ të shkruar dhe të arsyetuar, nga titullari institucionit.
8- Marrjen e masave për të mos vendosur pengesa jo ligjore për komunikimin e të burgosurve me median, ku nuk kërkohet miratimi i Drejtorit të Përgjithshëm Burgosurve dhe i Prokurorit.
9- Përgjithësimin e rastit për të përmirësuar procedurën në tërësi sistemin penitenciar, në zbatim të detyrimeve ndërkombëtare që Shqipëria ka marrë përsipër lidhur me respektin e të drejtave të njeriut.
Për rekomandimet e mësipërme Avokati i Popullit la afatin 30 ditë për zbatim nga Drejtoria Përgjithshme të Burgjeve, të parashikuar në nenin 22 të ligjit organik”,- thuhet në padi.
Kreu i Partisë së Lirisë kërkon hetimin e plotë të veprimeve dhe mosveprimeve të kryera ndaj tij, dhe verifikimin e përgjegjësisë penale të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Klevis Qose, me arsyetimin se nga tërësia e veprimeve të tij ai ka konsumuar veprat penale shpërdorimi i detyrës, kryerja e veprimeve arbitrare, mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme dhe shkelja e barazisë së shtetasve.







