Ballina Kronika Tatimet referojnë subjektin në Prokurori, fshehu 9.3 milionë euro të ardhura

Tatimet referojnë subjektin në Prokurori, fshehu 9.3 milionë euro të ardhura

61
0

Administrata Tatimore ka intensifikuar kontrollet në kuadër të aksionit për garantimin e sigurisë ushqimore dhe formalizimin e sektorit të tregtimit të produkteve blegtorale. Gjatë verifikimeve të kryera nga Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj në Administratën Tatimore, janë evidentuar shkelje serioze të legjislacionit tatimor në fuqi, të cilat përbëjnë raste të qarta të evazionit fiskal.

Nga kontrolli rezultoi se janë identifikuar mospërputhje midis inventarit fizik dhe atij të deklaruar në sasi, në një subjekt që ushtron aktivitetin e tregtimit me shumicë të produkteve shtazore.

Sipas të dhënave në njoftim, janë konstatuar 4,041 ton nënprodukte të mishit, ndërsa vlera e të ardhurave të fshehura kap shifrën e 9.3 milionë eurove.

Rasti është përcjellë Hetimit Tatimor, i cili e ka referuar për ndjekje penale pranë Prokurorisë së Tiranës. Sipas të dhënave, vlera totale e dëmit/evazionit të konstatuar arrin në rreth 6.4 milionë euro.

Administrata Tatimore thekson se përballë çdo shkelësi të ligjit, qoftë edhe tatimpaguesve të mëdhenj, vullneti për të vepruar mbetet i palëkundur.

Aksioni synon jo vetëm luftën kundër evazionit fiskal, por edhe garantimin e sigurisë ushqimore për konsumatorët dhe rritjen e formalizimit në tregun e produkteve blegtorale.

Kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi, duke synuar rritjen e transparencës dhe respektimin e rregullave nga të gjithë subjektet që operojnë në këtë sektor, thuhet në njoftim.