Një 60-vjeçar është arrestuar sot nga Gjermani, pasi akuzohet se përmes mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, ka përvetësuar një banesë në Vlorë. Bëhet fjalë për shtetasin Hito Musaj, i cili pritet të ekstradohet drejt vendit tonë.
NJOFTIMI I POLICISE
Vijon operacioni i koduar “The Wanted”, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Finalizohet faza e radhës, kapet në Gjermani dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar. Ai akuzohet se ka përvetësuar një apartament në Vlorë, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, më pas e ka prishur dhe ka ndërtuar një objekt tjetër.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologët në Gjermani, në kuadër të operacionit “The Wanted”, u lokalizua në Gjermani, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi në kërkim ndërkombëtar:
Hito Musaj, 60 vjeç.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 19.06.2022, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarise kriminale”.
Shtetasi H. M. akuzohet se nëpërmjet falsifikimit të lejes së ndërtimit, ka përvetësuar apartamentin e shtetasit J. M. Më pas, e ka prishur atë dhe ka ndërtuar një objekt tjetër me përmasa të mëdha. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, do të kryejë procedurat për ekstradimin e shtetasit Musajt në Shqipëri.







