Ballina Kronika Godina 3-katëshe në Lezhë ishte kthyer në kazino dhe ‘fole’ droge, sekuestrohen...

Godina 3-katëshe në Lezhë ishte kthyer në kazino dhe ‘fole’ droge, sekuestrohen miliona lekë, euro dhe dollarë e kokainë, një në pranga, një tjetër në kërkim

39
0

Evidentohet një rast i përshtatjes së një godine trekatëshe për kazino dhe përdorim droge në Lezhë. Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar miliona lekë, euro dhe dollarë, kokainë, makineta, tavolinë pokeri, letra bixhozi etj. Në kuadër të operacionit policor u arrestua në flagrancë shtetasi Bledar Arapi, u shpall në kërkim shtetasi Elger Uka, si dhe u proceduan penalisht 15 shtetas që u kapën në Kazino.

NJOFTIMI
Evidentohet një rast i përshtatjes së një godine trekatëshe për kazino dhe përdorim droge. Sekuestrohen miliona lekë, euro dhe dollarë, kokainë, makineta, tavolinë pokeri, letra bixhozi etj. Vihet në pranga përgjegjësi i kazinosë, si dhe shpallet në kërkim organizatori që kishte marrë me qira objektin trekatësh dhe e kishte përshtatur për kazino. Procedohen penalisht 15 shtetas që u kapën në ambientet e kazinosë duke luajtur lojëra fati në makineta dhe në tavolinën e pokerit. Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka nisur menjëherë hetimin disiplinor për disa drejtues dhe punonjës policie, të cilët nuk kanë marrë masa për evidentimin dhe goditjen e kësaj paligjshmërie.

Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar në informacionet se në Lezhë, në një godinë trekatëshe në bulevardin “Gjergj Fishta”, funksiononte një kazino për ushtrimin e lojërave të fatit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fishat”. Gjatë kontrollit në një banesë trekatëshe, të marrë me qira nga shtetasi E. U., 24 vjeç, dhe të përshtatur katet e dyta dhe të treta për ushtrimin e lojërave të fatit dhe përdorim droge, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 15 makineta për lojëra fati, një tavolinë pokeri, çipsa, letra bixhozi, disa doza kokaine, 725 000 lekë të rinj, si dhe euro e dollarë.

Në vijim të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. A., 47 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion të lokaleve për lojëra të paligjshme”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Po në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit E. U., 24 vjeç, për të njëjtat vepra penale, pasi nga veprimet hetimore rezulton se ky shtetas ka marrë me kontratë qiraje objektin që ishte përshtatur si kazino. Vijon puna për kapjen e tij. Po gjatë operacionit u proceduan penalisht edhe 15 shtetas që u kapën duke luajtur lojëra fati në kazino. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit për të nxjerrë përgjegjësitë e personave që kishin për detyrë parandalimin dhe luftimin e lojërave të paligjshme të fatit. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.