Edhe pse u deklarua se do të hynte në fuqi nga 1 janari 2026, procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me tatimin e reduktuar 5% nuk ka nisur ende dhe mbetet e paqartë se kur do të bëhet funksional. Shkak për këtë situatë është bërë mosdekretimi i ligjit nga Presidenti i Republikës, si dhe, për rrjedhojë, mungesa e akteve nënligjore dhe e udhëzimit të përbashkët nga Ministria e Financave dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Në ditët e fundit të vitit 2025, Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA) i është drejtuar zyrtarisht Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke kërkuar dekretimin sa më të shpejtë të Ligjit nr. 85/2025, datë 12.12.2025 “Për Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme”.
Në letrën drejtuar Kreut të Shtetit, NAREA thekson se ka ndjekur me vëmendje zhvillimet përgjatë vitit 2025, veçanërisht iniciativat që lidhen me rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me një tatim të korrigjuar, të cilat i konsideron ndërhyrje të rëndësishme për tregun imobiliar dhe për qytetarët.
Sipas shoqatës, miratimi i këtij ligji është rezultat i një pune intensive 12-mujore në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Financave, Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, ligjvënësit dhe aktorë të tjerë të përfshirë në proces. NAREA e cilëson Ligjin nr. 85/2025 jo vetëm si një sukses institucional, por edhe si një lajm të shumëpritur prej më shumë se një viti e gjysmë.
Shoqata vlerëson se ligji prek drejtpërdrejt rreth 500 mijë familje shqiptare, të interesuara për të rivlerësuar pasurinë e tyre sipas vlerës së tregut, si dhe dhjetëra mijëra familje të tjera që shpresojnë për alternativa më të përballueshme strehimi, si efekt zinxhir i zbatimit të këtij mekanizmi. Po ashtu, sipas NAREA-s, mbi 5 300 kontrata “Premtim Shitje” aktualisht aktive mbeten të bllokuara në pritje të rivlerësimit.







