Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme kanë të drejtë të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut nga data 1 janar deri në 30 shtator 2026.
Të paktën kështu u lajmërua në fundin e vitit që lamë pas, ku sqarohej se për procesin e llogaritjes së vlerës së pronës, tatimi do të jetë 5%, nga 15% që paguhet sot, nëse shet pronën, ndërsa tatimi paguhet për diferencën e vlerës mes asaj të regjistruar në Kadastër dhe asaj me të cilën shitet.
Ekspertja e pasurive të paluajtshme, Armelinda Shtiza, e ftuar në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News” shpjegoi fushatën më të fundit, teksa nënvizoi se edhe 3 vite më parë u ndërmorr një iniciativë e tillë, por nuk u realizua kurrë.
Mesa duket shtyrja e procesit do të zgjasë sipas ekspertes deri në fund të muajit shkurt.
“Do ta nisja nga rivlerësimi kur shumë qytetarë kanë pritur që të ndryshojë dhe tatimi nga 15 % të bëhet 5 %, të paktën nga referencat në zonat e Tiranës, që është një nga lokacionet më të kërkuara të tregut të shit-blerjes së pronave, u bë në korrik 2023 dhe flitej që do të bëhej në shtator të 2023 si rivlerësim që do të hapej për qytetarët, gjë që nuk ndodhi në fakt.
Tani në 1 janar pritej që të niste, por kemi ngecur sërish pasi njëherë del ligji, pastaj miratohet në Fletoren Zyrtare që është një afat ligjor se kur do të aplikojnë qytetarët.
Momentalisht akoma nuk është i hapur dhe as nesër që është dita e parë e punës të fillojë rivlerësimi. Është në proces, por në mendimin tim, vlerësoj se 15 shkurti apo fundi i shkurtit do të jetë koha kur do të nisë aplikimi për rivlerësimin e pronave”, u shpreh ndër të tjera, ekspertja Armelinda Shtiza.



