PSG dominon totalisht futbollit në Francë dhe jo vetëm, pasi këtë vit, përjashto Botërorin për Klube, fituan të gjithë trofetë e tjerë që ishin në valle. Në Kuvajt, ekipi i Luis Enriques fitoi edhe Superkupën e Francës në një finale të çmendur përballë Marseille, me katër gola të shënuar, raste për shënim, por në fund trofeu u vendos nga ruleta e penalltive, në një kohë kur koha e rregullt u mbyll në barazim 2-2.
PSG gjeti shpejt golin e avantazhit, ku në minutën e 13-të, “Topi i Artë” në fuqi, Ousmane Dembele, me një parabël të ëmbël dërgoi topin në rrjetë. PSG zhvilloi një presion asfiksues në fraksionin e parë, krijuan disa raste për shënim, por pa mundur të gjejnë golin e qetësisë.
Situata u përmbys totalisht në fraksionin e dytë, me Marseille që mori kontrollin e lojës duke krijuar disa raste të pastra për shënim, por portieri Chevalier ishte në një mbrëmje të madhe. Nga të paktat raste ku gaboi, ishte ai i minutës së 76-të, ku një dalje e gabuar e tij shkaktoi një penallti, e fituar dhe e konvertuar në gol nga Greenwood. Marseille nuk u mjaftua me kaq, por në minutën e 87-të, Pacho në përpjekje për të larguar një top të futur në zonë e devijoi në portën e tij duke i dhuruar avantazhin skuadrës së Roberto De Zerbi-t. Marseille kishte shansin të mbyllte ndeshjen në limitet e shtesës, por Aubameyang shpërdoroi një rast të pastër i vetëm përballë portierit. Në aksionin pasues, PSG i kapi “mat”, ku Gonçalo Ramos barazoi shifrat në 2-2 në minutën e 95-të duke bërë që fati i këtij takimi të vendosej nga ruleta e penalltive.
Në këtë pikë, ekipi i Luis Enriques u tregua perfekt, 4 në 4 penallti të sakta, ndërsa në radhët e Marseille gabuan në dytë raste, të dyja të pritura nga portieri Chevalier, duke bërë që PSG të fitonte për herë të 14 në histori trofeun e Superkupës së Francës, hera e 12 në 13 vitet e fundit që fitojnë këtë trofe, shifra që tregojnë qartë dominimin e PSG në futbollin francez.







