Ballina Ekonomia Qiratë nuk ndalojnë rritjen, dominojnë inflacionin e dhjetorit

Qiratë nuk ndalojnë rritjen, dominojnë inflacionin e dhjetorit

32
0

Muaji dhjetor zakonisht dallohet për çmimet e larta të ushqimeve për shkak të konsumit në festa, por këtë vit ka një zhvendosje në çmime më të larta të qirave, të cilat ishin përbërësi kryesor i inflacionit, sipas të dhënave të sotshme të INSTAT.

Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Dhjetor 2025 është 2,3%, një vit më parë ky ndryshim ishte 2,1%. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin dhjetor 2025, krahasuar me nëntor 2025 është 0,7%. Rritja mesatare vjetore e çmimeve të konsumit në vitin 2025 është 2,2%, njësoj si një vit më parë.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit. Rritja vjetore e çmimeve në muajin Dhjetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,96 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,56 pikë përqindje.

Gjithashtu, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me +0,16 pikë përqindje, çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,15 pikë përqindje, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,11 pikë përqindje, çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,10 pikë përqindje, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,08 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,06 pikë përqindje, çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,03 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë”, “Shëndeti” dhe “Transporti” me +0,02 pikë përqindje secili.

Krahasuar me muajin dhjetor 2024, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,8%, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 3,6%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,6%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,2%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 2,1%, “Shërbimi arsimor” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,9% secili, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,6%, “Komunikimi” me 0,9 %, “Shëndeti” me 0,5%, “Veshje dhe këpucë” me 0,4% dhe “Transporti” me 0,3%.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “Qumësht, djathë dhe vezë” patën një rritje me 4,4%, pasuar nga nëngrupet “Peshk” dhe “Vajra dhe yndyrna” me 3,8% secili, “Mish” me 2,3%, “Fruta” me 0,4%, etj.

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Nëntor 2025, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,1%, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,9%, “Argëtim dhe kulturë” me 0,8%, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,4% secili, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,3%, “Veshje dhe këpucë” dhe “Transporti” me 0,1% secili./Monitor