Kreu i Partisë Mundësia, politikani i djathtë Agron Shehaj ka reaguar mes dhimbjes për ndarjen nga jeta të babait të tij, Siri Shehaj. Ashtu siç raportoi newsbomb.al më herët këtë të premte, babai i deputetit ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 83 vjeçare.
“Të dashur miq, pas një beteje të mundimshme me sëmundjen e rëndë, babai im, Siri Shehaj, u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare. Jeta e tij ishte një luftë e përditshme. U rrit jetim, pasi kur ishte vetëm 8 vjeç, babai i tij, gjyshi im, vdiq në burgun e Burrelit si i burgosur politik.
Megjithatë, ai gjeti forcën ta niste gjithçka nga e para, jo për vete, por për ne, 3 fëmijët e tij. Nuk donte të largohej nga Shqipëria, por donte që ne të ishim të lirë, të kishim një jetë më të mirë, të shkolloheshim dhe të edukoheshim”, shkruan Agron Shehaj.
Kreu i Partisë Mundësia thotë se prej vitit 1991 kur babai i tij vendosi të ikte në Itali, menjëherë sapo regjimi në Shqipëri kishte rënë, 35 vitet e fundit të jetës i kaloi në Bolzano, mes një komuniteti miqsh që e respektonin dhe e vlerësonin për njeriun fisnik që ishte.
“Ai ishte nxitësi im më i madh për t’u kthyer në Shqipëri dhe ishte krenar që po bëja atë që ai nuk arriti ta bënte dikur. Shumë nga ajo që bëj sot është edhe për të, për gjithçka që ajo periudhë e errët nuk e lejoi të realizonte. Babai im ishte heroi im. Ai që më ka mësuar, frymëzuar të mos dorëzohem kurrë”, shkruan Agron Shehaj.
Ai thekson se edhe përse babai Siri Shehaj u rrit jetim, la pas një familje të madhe me nipër e mbesa, që do ta kujtojnë gjithmonë për njeriun e drejtë dhe luftarak që ishte.
Agron Shehaj njofton se pritja në Bolzano do të mbahet të martën, më 13 Janar në Hotel Sheraton, Bolzano, Itali, nga ora 09:00-14:00, dhe varrimi do të bëhet po të martën, në orën 15:00, te varrezat e qytetit të Bolzanos në Via Maso della Pieve. Kurse në Vlorë, pritja do të mbahet në daten 16 Janar.







