Ballina Europë Si e fshehin kokainën mafia shqiptare dhe Ndrangheta/ Gjuetia e drogës në...

Si e fshehin kokainën mafia shqiptare dhe Ndrangheta/ Gjuetia e drogës në portin e Xhenovës

28
0

Porti i Xhenovës është nyja kryesore e një trafiku droge që furnizon tregjet e qyteteve italiane, por edhe ato të Europës Veriore. Bëhet fjalë për portin më të madh të Italisë – për nga hapësira tokësore, ujore dhe numri i punëtorëve të përfshirë – dhe pikërisht për këtë arsye ai është shumë tërheqës për organizatat kriminale: këtu mbërrijnë anije të mbushura me mijëra kontejnerë, çka ua bën më të lehtë kriminelëve fshehjen dhe diversifikimin e lëndëve narkotike.

Çdo vit, nga porti i Xhenovës kalojnë rreth 2.8 milionë kontejnerë. Për kontrolle përzgjidhet afërsisht 5 për qind e tyre: “Gjysma e këtyre kontrolleve janë dokumentare, ndërsa pjesa tjetër përfshin kontrolle me skaner ose hapje fizike të kontejnerëve”, shpjegon Giulia Durand, drejtuese e Zyrës Doganore.

Porti i Xhenovës

Droga fshihet në vendet më të paimagjinueshme, si në banane prej qeramike, në arra kokosi dhe në tulla. ‘Guardia di Finanza’ dhe Agjencia e Doganave punojnë së bashku për të siguruar që lëndët narkotike të mos dalin nga porti dhe të mos përfundojnë në duart e trafikantëve.

Fanpage kaloi një ditë me ta për të kuptuar punën që bëjnë dhe mënyrën se si arrijnë të zbulojnë drogën. Hapi i parë i kontrollit kryhet në postin e skanerit të Agjencisë së Doganave: nga kompjuteri, operatorët mund të shohin brenda kontejnerëve dhe të identifikojnë anomali të mundshme, si një çantë që nuk duhet të jetë aty ose diçka e fshehur mirë në të çarat metalike. Në këto raste aktivizohet alarmi i Guardia di Finanza-s dhe i Agjencisë së Doganave. Dhe shpesh, çfarë gjendet?

Gjendet drogë. Në kontrollin e dokumentuar nga Fanpage, lënda e paligjshme u gjet brenda një çante dhe vinte nga Kolumbia: çdo pako droge kishte në ambalazh një “stemë” që identifikon llojin dhe origjinën e organizatës kriminale.

Është gjithmonë një garë me kohën: droga duhet të kapet përpara se të dalë nga porti. Pasi identifikohet përmbajtja e dyshimtë, duhet të kuptohet menjëherë se për çfarë substance bëhet fjalë. Analizat e para kryhen direkt në vendin e inspektimit; më pas, në një laborator të lëvizshëm, realizohet analiza kimike.

“Pas analizave do të procedohet me njoftimin e veprës penale dhe me sekuestrimin”, shpjegon Giulia Durand, drejtuese e Zyrës Doganore.

Analizat konfirmojnë se bëhet fjalë për kokainë.

Raste të tilla në port janë të shumta. “Kohët e fundit kemi sekuestruar qindra kilogramë drogë, veçanërisht kokainë, por ndodh të gjejmë edhe heroinë. Kemi konstatuar gjithashtu ngarkesa me droga sintetike. Droga gjendet edhe në det, e hedhur para se kontejneri të mbërrijë në port”, shpjegon nënkoloneli Massimiliano Zechender, ish-komandant i Grupit II të ‘Guardia di Finanza’ në Xhenova.

Kontejnerët e shkarkuar nga anijet

Po në cilën rrugë të trafikut të lëndëve narkotike bën pjesë porti i Xhenovës?

“Rrugët e nisjes janë pothuajse gjithmonë nga Amerika e Jugut, në veçanti nga Kolumbia dhe Ekuadori”, shpjegon nënkoloneli Zechender.

Po cilat janë destinacionet e këtyre ngarkesave dhe cilat organizata kriminale i lehtësojnë këto trafikime? Këtë e shpjegoi Prokurori i Përgjithshëm i Xhenovës, Nicola Piacente:

“Zakonisht bëhet fjalë për transporte që menaxhohen drejtpërdrejt nga organizatat kriminale kalabreze ose nga ato shqiptare. Aleanca të mirëfillta brenda një ‘pax criminale’.”

Më pas nënkoloneli Zechender shton: “‘Ndrangheta ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në mbarë botën, jo vetëm në portin e Xhenovës. Edhe këtu kemi konstatuar raste ku persona të lidhur me të kanë lehtësuar nxjerrjen e drogës nga porti. Droga që nuk arrijmë ta kapim është e destinuar kryesisht për tregun ilegal të Milanos – që ka kërkesën më të madhe – për Europën Veriore, si dhe për qytete të tjera, përfshirë vetë Xhenovën.”