Në takimin e zhvilluar nga Ervin Salianji në Korçë, kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Ndrec Pjetri, ka mbajtur një fjalim kritik ndaj lidershipit të partisë, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si PD-ja po përfaqësohet dhe organizohet në fushata elektorale.
Pjetri, i cili vjen nga një familje e persekutuar politikisht, deklaroi se ka marrë pjesë në nëntë fushata zgjedhore dhe në të gjitha ka mbetur në fund, duke theksuar se problemi nuk qëndron te baza, por te drejtimi i partisë.
Sipas tij, në çdo fushatë të Edi Ramës, edhe në kushte kur nuk mund të votohet një regjim, sheshet mbushen dhe ai ka mbështetjen e faktorëve ndërkombëtarë, ndërsa Partia Demokratike nuk arrin të mobilizojë qytetarët në të njëjtën mënyrë.
“Kush mban përgjegjësi për këtë situatë? Lidershipi. Ambasadat nuk shkelin në selinë tonë. Kush mban përgjegjësi për këtë? Lidershipi”, u shpreh Pjetri.
Ai e mbylli fjalën e tij me thirrjen: “Rroftë Shqipëria demokratike”, duke nënvizuar nevojën për reflektim dhe ndryshim brenda Partisë Demokratike.







