VNA sjell këtë herë në rubrikën Histori të harruara rastin e një dokumenti arkivor të vitit 1964, që dëshmon mënyrën se si pushteti komunist mobilizonte ‘zërin e popullit’ për të legjitimuar largimin e klerit nga komunitetet lokale, pak vite para shkatërrimit të kishave dhe ndalimit të fesë në Shqipëri.
Pak vite para se shteti komunist të shembte kisha e xhamija në Shqipëri, fushata kundër fesë dhe klerit ziente në vend. Një dokument arkivor i vitit 1964 dëshmon mënyrën se si pushteti mobilizonte “zërin e popullit” për të legjitimuar largimin e figurave fetare nga komunitetet lokale.
Më 14 nëntor 1964, populli i fshatit Merqi, pjesë e Kooperativës Bujqësore të Bashkuar Balldre në rrethin e Lezhës, zhvilloi një mbledhje ku, ndër çështjet e përditshme të fshatit, u diskutua edhe ardhja e priftit katolik Dom Ndoc Sahatçiu si famulltar në kishën e Merqisë. Dom Ndoc Sahatçiu ishte kthyer në fshat pas katër vitesh internim, i dënuar më parë për “veprimtari armiqësore kundër Partisë dhe pushtetit popullor”.
Sipas procesverbalit të mbledhjes, fshatarët shprehën kundërshtimin e tyre ndaj shërbimit të tij si famulltar, duke e cilësuar atë si person “pa triska fronti” dhe të papërshtatshëm për komunitetin. Në dokument theksohet se “populli i fshatit Merqi, si gjithë populli shqiptar”, ishte i lidhur ngushtë me Partinë e Punës dhe për këtë arsye nuk pranonte rikthimin e një prifti të dënuar më parë nga regjimi.
Gjatë diskutimeve, disa fshatarë morën fjalën kundër Dom Ndoc Sahatçiut. Ndue Kol Jaku deklaronte se fshati mund të jetonte edhe pa prift, ose se mund të sillej një famulltar “me triska fronti”. Kundërshtime të ngjashme u shprehën edhe nga fshatarë të tjerë si Gjok Geg Leka, Jak Prendi, Ndue Ndreca, Jak Ded Ndooj, Kol Gega dhe të tjerë.
Në përfundim të mbledhjes, u hartua një kërkesë zyrtare drejtuar Kryeipeshkvisë së Shkodrës dhe autoriteteve lokale të pushtetit, ku kërkohej largimi i menjëhershëm i Dom Ndoc Sahatçiut nga kisha e Merqisë. Dokumenti mbyllet me firmat e pjesëmarrësve, si shprehje e “vullnetit të popullit”.
⸻
LETRA
Populli i fshatit Merqi të rrethit Lezhë
Merqi DT: 14-XI-1964
Lënda: Kërkesë për largimin e menjëhershëm të famulltarit Dom Ndoc Sahatçiut nga kisha e Merqisë
Drejtuar: Krye Ipevzhnisë të Qarkut Shkodrës dhe për dijeni Ipevzhnit Dom Nikollit, Velë Vendit Kom. Ekz.Këshill, të rrethit Lezhë
Ne, populli i fshatit Merqi të Kooperativës Bujqësore Bashkume Balldre të rrethit Lezhës, i mbledhur sod me dt.14-XI-’64, ditën e shtunë në orën 9 para drake mbasi diskutuem disa problem të fshatit tonë, diskutuem dhe ardhjen e famulltarit Dom Ndoc Sahatçiut në kishën e Merqisë i kthyer ai nga internimi prej katër vjetësh me radhë për punë armiqësore kundër partisë dhe pushtetit tonë popullore.
Populli i fshatit Merqi si gjithë populli shqiptar asht I lidhun si mishi me kockin rreth partisë tonë të punës dhe duke qenë kështu neve kundërshtojmë ardhjen si famulltar në kishën e Merqisë të Dom Ndoc Sahatçiut i cili ashtë dhe I pa triska fronti dhe gjithëashtu për punë armiqësore kundër partisë dhe shtetit u kapë po në fshatin tonë.
Fshatari Ndue Kol Jaku ndër të tjera tha: Unë nuk jam dakord që Dom Ndoc Sahatçiu të shërbëj si famulltar në kishën tonë pasi ai asht I pa triska fronti dhe tani u kthe nga internimi prandaj po ta shifni të nevojshme për prift të kishin sjell ndonjë me triska fronti ose bile neve kemi jetue dhe jetojmë dhe pa prift.
Kështu me radhë u quen e diskutuan kundër Dom Ndocit edhe fshatarë të tjerë, si p.sh Gjok Geg Leka, Jak Prendi, Ndue Ndreca, Jak Ded Ndooj, Kol Gega dhe shumë fshatarë të tjerë.
Prandaj si përfundim fshati I jonë kërkon nga ana e juaj që famulltari Dom Ndoc Sahatçiu të largohet menjëherë nga kisha e Merqisë. Mbasi nuk asht I përshtatshëm për këtë fshat siç theksuam edhe më lart. Besojme se kërkesa jonë do na merret parasysh.
Nga mbledhja e popullit Merqisë e nënshkrume me firmat tona.








