Ballina Aktualitet Përmbytje dhe rrëshqitje dherash, evakuohen dhjetëra banorë. Situata sipas qarqeve

Përmbytje dhe rrëshqitje dherash, evakuohen dhjetëra banorë. Situata sipas qarqeve

45
0

Reshjet intensive të shiut gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar probleme serioze në disa qarqe të vendit, duke përfshirë Shkodrën, Durrësin, Lezhën, Gjirokastrën, Dibrën dhe Beratin. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata më problematike është regjistruar në zonat pranë lumenjve Drin, Kir, Bunë, Osum dhe Devoll, ku janë evidentuar përmbytje të tokave bujqësore, rrëshqitje dherash dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.

Në Shkodër, përmbytje janë shënuar kryesisht në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç, ndërsa strukturat e bashkisë dhe emergjencat civile ndodhen në terren, duke monitoruar situatën dhe duke marrë masa për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve. Hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë dhe nivelet e ujit janë nën kuotat kritike.

Në Durrës janë verifikuar 5.477 banesa, prej të cilave 1.711 kanë pësuar dëme, ndërsa janë evakuuar 851 persona në zonat Sukth dhe Katund i Ri. Rreth 2.000 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë, ndërsa vijon puna për vlerësimin e dëmeve.

Në Lezhë, niveli i ujit ka rënë përgjithësisht, me përjashtim të lumit Mat, që ka shënuar rritje për shkak të shkarkimeve nga HEC-et Shkopet dhe Qafë Mollë. Në Gjirokastër dhe Dibër po punohet për pastrimin e akseve rrugore dhe largimin e ujit nga objektet e banimit, ku janë regjistruar rrëshqitje dherash.

Në qarqet Berat dhe Elbasan, rritja e prurjeve të lumenjve ka sjellë përmbytje të sipërfaqeve bujqësore. Në terren janë angazhuar efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët asistojnë në transportimin e banorëve dhe shpërndarjen e ndihmave, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Autoritetet bëjnë thirrje banorëve të zonave të prekura të bashkëpunojnë me strukturat në terren dhe të kontaktojnë autoritetet vendore për çdo nevojë, për të menaxhuar situatën sa më efektivisht.

NJOFTIMI
Si pasojë e reshjeve intensive të shiut të regjistruara gjatë orëve të fundit, në disa qarqe të vendit janë evidentuar problematika të lidhura me rritjen e prurjeve në disa lumenj, përmbytje të tokave bujqësore, rrëshqitje dherash si dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.

Situata paraqitet më problematike në qarqet Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat, ndërsa në qarqet e tjera raportohen problematika të kufizuara ose situatë e qëndrueshme.

Në Qarkun Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka shkaktuar përmbytje në territorin e Bashkisë Shkodër, kryesisht në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Strukturat e bashkisë dhe të emergjencave civile ndodhen në terren dhe po monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme situatën, duke evidentuar pikat me risk dhe duke marrë masa paraprake për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve. Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe nivelet e ujit janë nën kuotat kritike.

Në Qarkun Durrës janë verifikuar gjithsej 5 477 banesa, nga të cilat në 1 711 raste janë konstatuar dëme. Janë evakuuar 851 persona, kryesisht në zonat Sukth dhe Katund i Ri, ku rreth 2 000 hektarë tokë bujqësore janë nën prezencë uji. Vijon puna për konstatimin dhe vlerësimin e dëmeve.

Në Qarkun Lezhë, niveli i ujit ka shënuar rënie përgjithësisht në tokat bujqësore. Forcat në terren po punojnë për largimin e ujit nga disa banesa. Të gjithë hidrovorët kanë punuar me kapacitet të plotë, me përjashtim të atij të Gocajve, ku është evidentuar mungesë energjie elektrike. Niveli i lumit Drin vijon të jetë në ulje, ndërsa lumi Mat ka shënuar rritje për shkak të shkarkimeve nga HEC-et Shkopet dhe Qafë Mollë. Nuk raportohen probleme në akset rrugore.

Në qarqet Gjirokastër dhe Dibër po punohet për pastrimin e disa akseve rrugore, ku janë shënuar rrëshqitje dherash, si dhe për largimin e ujit nga disa objekte.

Në qarqet Berat dhe Elbasan, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të sipërfaqeve bujqësore. Situata vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse.

Në terren janë të angazhuar efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes, po asistojnë në transportimin e banorëve, shpërndarjen e ndihmave dhe mbështetjen e operacioneve emergjente, sipas nevojave të autoriteteve vendore.

U bëjmë thirrje banorëve të zonave të prekura të kontaktojnë autoritetet vendore për çdo nevojë dhe të bashkëpunojnë me strukturat në terren për menaxhimin sa më efektiv të situatës.