Ballina Editorial Ankthi i zbrazëtisë: pse liderët nuk ikin në Shqipëri

Ankthi i zbrazëtisë: pse liderët nuk ikin në Shqipëri

32
0

Roland Lami 

Mora shkas nga një postim i gazetarit të njohur Mustafa Nano që shumë ndryshe nga të tjerë nuk përton disa të verteta ti thotë troç dhe te njerëz që në jo pak raste i ka mbështetur hapur. Thelbi i postimit të tij lidhej me tezën qendrore që mbahet si postulat në shkollat e lidershipit, ajo që në politikë nuk ka rendësi vetëm si të hysh por më e rëndësishme është si të dalësh prej saj. Atëhere ku të gjithë besojnë se ti je më i fortë pikërisht në atë moment duhet të dish si të ikësh. Pra, sot Edi Rama është njeriu më i fuqishëm por njëkohësisht me kredibilitet të shpartalluar qeverisës siç është po ashtu ekuivalenti i tij në opozitë, Sali Berisha. Njeriu më i pushtetshëm në opozitë por me kredibilitet të rënie të lirë brenda dhe jashtë partisë. Si mundet këta dy lider të kapërcejnë traditët paramoderne shqiptare të mos dorëheqjes apo egon e sëmurë për miklim të përjetshëm pushteti në momentet kur ata nuk kanë rival?
Paradoks por ja që ky është momenti më i volitshëm pasi ndodhesh në pikën kritike që mund të mbahesh mend si reformator ala Fatos Nano për shkak se di ku ikën ose të degradosh në lider që urrejtja ndaj teje të duket kompliment krahasuar me energjinë negative që turmat janë të gatshëm të shkarkoj ndaj teje, të ngjashme me atë që u kanë bërë jo pak liderve autokrat në lindjen e mesme nëse e shikon pushtetin si përjetësi. Si ndodh metamorfoza e pushtetit që behet pjesë e ekzistencës tënde ?
Pushteti ka një prirje të rrezikshme pasi e shtyn njeriun të besojë se është më shumë se njeri. Në fillim është mision, pastaj bëhet zakon dhe në fund shndërrohet në pjesë e pandashme e unit të tij/ saj. Hannah Arendt do të thoshte se pushteti ekziston vetëm sa kohë pranohet nga të tjerët, por lideri që qëndron shumë gjatë fillon ta harrojë këtë të vërtetë elementare. Ai e ngatërron pushtetin me forcën dhe duartrokitjen me legjitimitetin, duke besuar se largimi i tij do të ishte një boshllëk i pakapërcyeshëm.
Erich Fromm e quan këtë fazë “frikë nga liria”, ankthin që ndjen individi kur duhet të jetojë pa rolin që e mbron nga vetvetja. Largimi nga pushteti nuk është thjesht humbje zgjedhjesh, por rrezik zhdukjeje. Një formë narcisizmi politik ku uni lidhet aq fort me karrigen, sa çdo kritikë përjetohet si sulm ndaj ekzistencës personale. Prandaj pushteti në mendësinë e këtyre liderve duhet të mbrohet me çdo çmim, edhe kur çmimi është shumë i lartë, shkatërrimi i asaj që dikur u ndërtua me shumë mund.
Kjo frikë e liderit për të mos ndërprerë përjetësinë e pushtetit reflektohet drejtpërdrejt në parti. Ajo pushon së qeni organizëm dhe shndërrohet në zgjatim të vullnetit të një njeriu. Garat bëhen formale, mendimi ndryshe etiketohet si tradhti, ndërsa besnikëria merr vlerë më shumë se aftësia. Max Weber paralajmëronte se karizma, nëse nuk institucionalizohet, kthehet në autoritarizëm personal. Aty ku lideri nuk pranon të ikë, institucioni mbetet i përjetshëm vetëm në emër, por i vdekur në përmbajtje.
Ironia është se ikja kërkon më shumë forcë sesa qëndrimi. Jo pak lider që kanë mbetur në historiografi si burra shteti e kanë kuptuar herët se tirania nuk fillon nga ambicia, por nga paaftësia për të sunduar veten. Të dish të largohesh do të thotë të pranosh kufirin, të pranosh se pushteti është rol dhe substancë egoje. Lideri i vërtetë është ai që përgatit pasardhësin dhe e bën veten të panevojshëm jo e kundërta.
Historia, në fund, është e pamëshirshme, por e drejtë. Ajo nuk i mban mend liderët për mënyrën si hynë në pushtet, por për çastin kur refuzuan të largohen. Disa e gjejnë guximin për të bërë një hap prapa dhe për të nisur një jetë tjetër, më të qetë, më njerëzore. Të tjerët mbeten të mbyllur brenda pushtetit deri në fund, duke e kthyer atë nga mjet në burg. Dhe aty, pa pasur më nevojë për gjykime politike, flet vetëm karakteri.