Ballina Sport Barcelona barazon rekordin historik pas një dekade

Barcelona barazon rekordin historik pas një dekade

19
0

Barcelona ka arritur një tjetër moment historik. Me fitoren dramatike 3:2 ndaj Real Madridit në finalen e Superkupës së Spanjës, katalanasit kanë regjistruar 10 fitore radhazi, duke barazuar një rekord që datonte prej vitit 2016, kur skuadra drejtohej nga Luis Enrique.

Suksesi në “El Clasico” jo vetëm që i dhuroi Barcelonës trofeun e parë të sezonit, por konfirmoi edhe formën e shkëlqyer të ekipit nën drejtimin e Hansi Flick, i cili ka ndërtuar serinë më të gjatë të fitoreve të klubit në një dekadë.

Pas një fillimi sezoni me ulje-ngritje, Barcelona ka përjetuar një ringritje të dukshme që nga humbja ndaj Chelseat në Ligën e Kampionëve, në “Stamford Bridge”.

Që prej asaj ndeshjeje, katalanasit kanë qenë të pandalshëm.

Në këtë seri prej 10 fitoresh përfshihen suksese të rëndësishme si:

Barcelona – Atletico Madrid 3-1

Real Betis – Barcelona 3-5

Villarreal – Barcelona 0-2

Espanyol – Barcelona 0-2

Barcelona – Real Madrid 3-2 (Superkupë)

Po ashtu, blaugranat kanë triumfuar edhe ndaj Athletic Bilbao, Guadalajara, Osasuna, Eintracht Frankfurt dhe Alaves, duke treguar stabilitet në të gjitha kompeticionet.

Rekordi i Luis Enriques në shënjestër

Hera e fundit që Barcelona arriti shifra dyshifrore fitoresh radhazi ishte midis prillit dhe gushtit të vitit 2016, nën drejtimin e Luis Enriques.

Tashmë, nëse skuadra e Flick arrin të mposhtë Racing Santander në ndeshjen e ardhshme të Copa del Rey, ajo do të barazojë një tjetër seri historike: 11 fitore radhazi, të arritura nga Barcelona e Luis Enriques në muajt janar–shkurt 2015.

Forma aktuale dhe besimi në rritje e bëjnë Barcelonën një pretendente serioze në të gjitha frontet.