Torino fiton 3-2 ndaj Romës në minutat e fundit dhe siguron kualifikimin për në çerekfinale të Kupës së Italisë, ku do të përballet me Interin. Verdhekuqtë e nisin më mirë takimin dhe krijojnë rastin e parë me Pisillin, por Paleari është i vëmendshëm. Rreth minutës së 30-të provon edhe El Shaarawy, pa sukses.
Me kalimin e minutave Torino rritet dhe në minutën e 35-të kalon në avantazh: Vlasic shërben për Che Adams, i cili nga jashtë zone godet fort me të djathtën dhe mposht Svilarin. Roma shkon në pushim në disavantazh.
Në pjesën e dytë Gasperini ndryshon fytyrën e skuadrës duke aktivizuar Ndickën dhe Hermoson, dhe pikërisht spanjolli barazon menjëherë në minutën e 46-të me një gol spektakolar, si një sulmues i mirëfilltë. Momenti duket në favor të vendasve, por vetëm gjashtë minuta më vonë Torino godet sërish: Lazaro kroson nga e djathta, Vlasic regjistron asistin e dytë dhe Che Adams, me një goditje të fuqishme, shënon golin e dytë personal duke përfituar edhe nga një dalje jo perfekte e Svilarit.
Roma duket në vështirësi, por në minutën e 81-të gjen golin e barazimit: Wesley dërgon një krosim të saktë dhe Antonio Arena, i lindur në vitin 2009, realizon me kokë në kontaktin e parë me topin, duke ndezur tribunat e “Olimpico”-s.
Kur gjithçka po shkonte drejt penalltive, vjen goditja vendimtare e Torinos: në minutën e 90-të, pas një goditjeje nga këndi, Svilar grushton shkurt pas goditjes me kokë të Casadeit dhe Ilkhan përfiton duke shtyrë topin në rrjetë nga pak hapa.
Roma eliminohet në shtëpi, ndërsa Torino feston një fitore të madhe dhe kualifikimin në çerekfinale, ku e pret përballja me Interin.







