Ministria e Drejtësisë shkarkon drejtorin e burgut të Durrësit, Indrit Cerloj. Vendimi vjen pas arratisjes spektakolare nga Spitali i Durrësit të paraburgosurit Altin Ndoci, një prej emrave më kontroversë të botës së krimit.
“Në vijim të ngjarjes së datës 13.01.2026, pas një analize nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve është shkarkuar i gjithë zinxhiri komandues në IEVP Durrës.”, sqaron drejtoria e Burgjeve.
Sakaq, katër zyrtarë të burgut janë vënë në pranga. Në mesin e të arrestuarve janë zv.shefi i policisë së burgut, Dezdemon Pazaj, punonjës i Policisë së Burgjeve, dhe kryeinfermieri Aulon Quku. Ata akuzohen për shkelje të rënda të detyrës gjatë shoqërimit të Ndocit për vizitën mjekësore, duke mos informuar as drejtorin e burgjeve dhe as policinë e shtetit për itinerarin e planifikuar.
Nga hetimet e para rezulton se më 13 janar 2026, Altin Ndoci ka kryer konsultë mjekësore me mjekun e institucionit të vuajtjes së dënimit, i cili rekomandoi vizitë te mjeku kirurg në Spitalin Rajonal Durrës. I paraburgosuri është shoqëruar sipas itinerarit të përcaktuar: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP. Gjatë trajtimit mjekësor në pavionin infektiv, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Punonjësit e policisë e kanë shoqëruar, por ai ka kundërshtuar dhe i ka goditur, duke arritur të arratiset.
Pas ngjarjes, drejtori dhe i gjithë zinxhiri drejtues i institucionit të paraburgimit janë pezulluar nga detyra. Prokuroria po heton nëse Ndoci ka pasur bashkëpunëtorë brenda burgut për të realizuar arratisjen, si dhe arsyet pse një personazh me rrezikshmëri të lartë shoqërore u vendos në një institucion paraburgimi me siguri të ulët.
Altin Ndoci ishte transferuar në Durrës në vitin 2020 dhe ndodhej në gjykim në dosjen “Plumbi i Artë” për vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Urucit, si dhe për vrasje për llogari të organizatës kriminale të drejtuar nga Franc dhe Hajdar Copja. Dëshmitë e ish-drejtorëve të burgjeve pritet të merren gjatë hetimeve për të sqaruar përgjegjësitë në këtë arratisje.
Emrat e te pezulluarve
z. Indrit Cerloj – Drejtor i IEVP Durrës;
z. Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë;
z. Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar);
znj. Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;
z. Aulon Quku – Kryeinfermier;
z. Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
z. Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
z. Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
z. Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
z. Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
z. Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
znj. Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve.
Ndalimi i personave
Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;
Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.







