Hetimet për abuzimet me fondet e shëndetësisë duket se kanë hyrë në një fazë të re. Pak para festave të fundvitit, Byroja Kombëtare e Hetimit ka ushtruar kontrolle në ambientet e laboratorëve “Genius LAB”, në pronësi të biznesmenit Besnik Çullhaj, një emër i njohur si përfitues kryesor i tenderave të shëndetësisë gjatë pandemisë dhe i konsideruar prej vitesh ortak politik i ish-ministres Ogerta Manastirliu.
Burime bëjnë me dije se ndërhyrja e BKH-së nuk ka qenë një veprim rutinë, por rezultat i grumbullimit të provave mbi mënyrën se si kompania “Genius shpk” ka përfituar qindra tendera publikë, kryesisht në periudhën e emergjencës së COVID-19, kur kontrolli institucional mbi procedurat ishte minimal ose thuajse i paralizuar.
Sipas informacioneve, kontrollet kanë shkaktuar reagim të menjëhershëm te drejtuesit e kompanisë, të cilët dyshohet se kanë tentuar të zhdukin pajisje, telefona dhe materiale të ndjeshme, në përpjekje për të fshirë gjurmë të mundshme të shkeljeve.
Hetimi i SPAK nuk po ndalet më vetëm te operatorët privatë, por po shtrihet drejt nivelit të vendimmarrjes politike. Burime pranë çështjes theksojnë se pa firmat, mbrojtjen dhe orientimin institucional të Ogerta Manastirliut, skema e laboratorëve privatë nuk do të kishte funksionuar, nuk do të ishte zgjeruar gjatë pandemisë dhe nuk do të kishte prodhuar pasuritë që sot janë objekt verifikimi.
Nga pandemia e COVID-19 e në vijim, “Genius shpk” e Besnik Çullhajt u kthye në përfitues sistematik të fondeve publike, duke siguruar rreth 270 tendera nga struktura të Ministrisë së Shëndetësisë. Shumica e tyre rezultojnë pa garë reale, me procedura formale dhe me vlerë sa fondi limit.
Të dhënat e Thesarit të Shtetit tregojnë gjithashtu 537 pagesa në favor të kësaj kompanie, me një vlerë totale mbi 384 milionë lekë. Sipas burimeve hetimore, këto pagesa vështirë se mund të ishin realizuar pa një mbështetje politike të fortë dhe të qëndrueshme, e cila tashmë pritet të jetë në qendër të hetimit penal.







