Ballina Aktualitet A është interneti i shtrenjtë në Shqipëri? Të dhënat, investimet dhe realiteti

A është interneti i shtrenjtë në Shqipëri? Të dhënat, investimet dhe realiteti

24
0

Në debatin publik mbi rritjen e kostos së jetesës, ushqimit, karburantit apo strehimit, një kategori pothuajse nuk përmendet fare, edhe pse ne e përdorim çdo sekondë, interneti.

Në epokën dixhitale, celulari dhe interneti nuk janë thjesht nje aksesor i jetës moderne. Tashmë interneti është infrastruktura ku mbështeten bizneset, shkolla, shëndetësia, shërbimet qeveritare, pagesat, administrata publike dhe komunikimi ynë i përditshëm. Por a e vlerësojmë sa duhet internetin dhe përmirësimin e lidhjeve për të rritur shpejtësinë dhe cilësinë e tij?

Nuk është rastësi që vendet me ekonomi të forta po investojnë agresivisht në rrjetet e tyre. Japonia psh raportoi në fund të vitit të kaluar se kishte thyer rekordin e shpejtësisë së internetit, duke arritur në 1.02 petabit për sekondë, aq sa për të shkarkuar të gjithë Netflix-in për vetëm një sekondë.

Interneti është bërë “autostrada e re” e zhvillimit, njësoj si rrugët, portet dhe energjia në dekadat e kaluara.

Një qytetar i lidhur në internet mëson më shumë, punon më mirë dhe merr shërbime më shpejt. Një biznes i lidhur në internet rrit produktivitetin, eksporton, zgjeron tregun. Nga bizneset që shesin online, te qendrat e shërbimit të klientit, deri tek puna e shumë të rinjve në distancë, rrjeti celular dhe fibra janë themeli i ekonomisë moderne.

Në një treg ku qytetarët presin internet më të shpejtë, mbulim të plotë dhe paketa të përballueshme, pyetja që bëhet shpesh është, a po paguajmë shtrenjtë?

Të dhënat flasin ndryshe. Sipas Ookla 2025, Shqipëria renditet e dyta në Ballkan për shpejtësinë mesatare të internetit në telefon (mobil), me një shpejtësi prej 104Mbps, si dhe ofron shpejtësi të internetit fiks prej 86.4Mbps, shumë pranë mesatares europiane. Ndërkohë, faturat mujore mesatare prej 10-12 Eurosh për shërbimin celular në muaj mbeten ndër më të ulëtat në rajon dhe shumë më pak se ato që paguajnë qytetarët e vendeve të tjera europiane.

Por çfarë qëndron pas faturës mujore? Për të funksionuar 24 orë në ditë, operatorët investojnë vazhdimisht në infrastrukturë, antena, fibra, softuere, siguri kibernetike dhe pajisje importi, ndërkohë që çmimet e energjisë, pajisjeve teknologjike, lejet dhe licensat e spektrumit rriten çdo vit.

Vetëm Vodafone Albania raporton: 40 milionë Euro investime kapitale në vit, afro 4900 km fibër optike të instaluar në të gjithë vendin, një konsum prej 28 GWh në vit, më shumë se 800 të punesuar direkt dhe mbi 3000 të punësuar indirekt në ekonominë e vendit.

Këto shifra tregojnë që sektori i telekomunikacionit është ndër investitorët më të mëdhenj privatë në vend, dhe çdo para investohet brenda Shqipërisë. Kjo, krejt ndryshe nga platformat ndërkombëtare si mediat sociale, që marrin të ardhura nga përdoruesit shqiptarë, pa investuar asgjë brenda Shqipërisë.

Në shumë vende, kërkesa politike apo publike për tarifa të ulëta duket si fitore për konsumatorët. Por në realitet ndodh e kundërta: rrjeti fillon të degradojë, investimet në teknologji të reja ndalen, ekspozimi ndaj sulmeve kibernetike rritet dhe vendi ngec teknologjikisht. Për industrinë e telekomunikacionit, një çmim “i drejtë” është ai që garanton cilësi sot dhe zhvillim nesër.

Nëse çmimi detyrohet të bjerë përtej një pragu ekonomik, në disa vite Shqipëria do të rrezikojë të humbasë terren përballë vendeve fqinje dhe atyre europiane.

Nga Tirana në Bruksel, telekomunikacioni është sektor strategjik dhe i ndërthurur ngushtë me politikat publike. Të njëjtat debate po zhvillohen edhe në Bashkimin Europian, ku telekomi është kthyer në çështje të sigurisë kombëtare.

Shqipëria, edhe pse jo pjesë e BE-së, po integrohet dixhitalisht në të njëjtin sistem. Kjo do të thotë se standardet që ajo përthith sot duhet të jenë ato që do ta mbrojnë nesër.

E ardhmja, rrjedhimisht, bëhet më e shtrenjtë se e tashmja. Përdorimi dixhital rritet me ritme marramendëse, investimet në rrjetin 5G janë shumë herë më të mëdha se ato në 4G, kostoja e sigurisë kibernetike është sot po aq e rëndësishme sa ajo e policisë apo e ushtrisë, ndërsa roaming-u “të flasësh si në shtëpi” me BE-në, që pritet të hyjë në fuqi këtë vit, do të ulë ndjeshëm të ardhurat e operatorëve, pa ulur detyrimet e tyre.

Pra, në vend që të pyesim “a paguajmë shumë?”, pyetja e vërtetë duhet të jetë: “a po paguajmë mjaftueshëm për të garantuar një Shqipëri me infrastrukturë dixhitale konkurruese dhe më të sigurt, në të mirën e të gjithë qytetarëve?”

Rrjeti i telekomunikacionit është sot sistemi nervor i shoqërisë: bizneset, shkollat, shëndetësia, eksportet, pagesat, administrata dhe diaspora funksionojnë përmes rrjeteve. Fatura që paguajmë çdo muaj është pjesëmarrja jonë në ndërtimin e një Shqipërie dixhitale, konkurruese dhe të suksesshme. Më shumë sesa te fatura, llogarinë duhet ta kërkojmë te shërbimi që marrim, cilësia, shpejtësia dhe mbulimi.