Ballina Europë Flakët përfshijnë spitalin në Milano, evakuohen pacientët

Flakët përfshijnë spitalin në Milano, evakuohen pacientët

41
0

Një zjarr ka rënë mëngjesin e 15 janarit në spitalin Sacco të Milanos, duke detyruar evakuimin e menjëhershëm të pacientëve dhe personelit. Flakët, të cilat shpërthyen rreth orës 10:00 në Pavijonin 16, e patën zanafillën në Arkivin Diagnostikues dhe u përhapën me shpejtësi drejt dhomave të zhveshjes dhe disa klinikave ambulatore.

Në momentin e incidentit, në ambientet e prekura ndodheshin dhjetëra pacientë që po kryenin ekzaminime.

Fatmirësisht, falë reagimit të shpejtë dhe të koordinuar mes stafit të spitalit dhe zjarrfikësve, nuk raportohet për asnjë person të lënduar apo të helmuar nga tymi.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë katër mjete zjarrfikëse me një personel prej tridhjetë vetash, të cilët vunë flakët nën kontroll. Aktualisht, forcat zjarrfikëse po vijojnë me operacionet e pastrimit dhe sigurimit të zonës, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit.