Ballina Editorial Rama mes marrëzisë dhe Mogherinit

Rama mes marrëzisë dhe Mogherinit

21
0

Nga Luçiano Boçi

Kreu i Këshillit Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor, Edi Rama, i cili ka përlarë në 13 vite 14 miliardë euro, ka mbledhur sot Rektorët e Universiteteve, pa AS-in e tij, Mogherinin.

Pasi u refuzoi Rektorëve kërkesën për mbulimin vjetor të pagave të pedagogëve nga buxheti 2026, i ka dhënë sot atyre në vend të mbështetjes financiare, leksione “gjeniale”.

Jo si të grabisin paratë publike, se këtë e ka disertacion personal për çmim ndërkombëtar, por për t’i mësuar se “nga lidhet gomari”.

Nder idetë ajo që pëlqente më shumë ishte ajo për zhvendosjen e studentëve të Tiranës në Durrës.

Rektorët mendjehapur e kanë dëgjuar me gojë hapur “mretin”.

E nuk është hera e parë që dëgjojnë një kryeministër jashtë realitetit që lëshon marrëzinë e rradhës.

Kur një qeveri me “mretin” e shkencës në krye,  kërkon ta mohojë realitetin dihet që krijon një tjetër paralel me propagandë.

Ndërsa kur nuk është në gjendje të rregullojë realitetin si këtë me studentët, ajo fillon ta zhvendosë atë.

Shpikje për Nobël!

Kjo është domethënia e propozimit të Ramës për të “çuar studentët në Durrës”.

Së pari,  kjo nuk është lëvizje as për t’i ndihmuar, as për t’i lehtësuar.

Jo!

Është lëvizje për t’i larguar nga Tirana, nga vëmendja publike, nga problemet reale që vetë shteti ka krijuar.

Së dyti, ky nuk është një projekt arsimor. Është një manovër emergjente e një sistemi prej 13 vitesh në krizë e që po mbytet nga pasojat e veta.

Së treti, është vazhdim i korrupsionit me metoda të tjera. Rrëmbimi i Kampusit të Universitetit të Tiranës u bë në mes të ditës nga dyshja e korruptuar Rama-Mogerini.

Dhe dhurata që i ka bërë ky Mogherinit me 17 ha nga territori i Universitetit nuk mund të merret mbrapsht.

Së katërti, ky propozim nxjerr në pah një të vërtetë të hidhur: sistemi nuk po reformohet, ai po improvizon për të mbijetuar.

Në mungesë të një vizioni të qartë për arsimin e lartë të një politikë reale strehimi dhe pa një plan urban që respekton funksionin social të qytetit, Rama vjen me reagime të tilla afër idiotizmit dhe ide të nxjerra nga paniku.

Kriza e strehimit të studentëve nuk lindi dje dhe as nga askundi.

Ajo është prodhim i drejtpërdrejtë i një modeli urban, ekonomik dhe politik korruptiv e narko-tregëtar që ka shndërruar Tiranën në një treg spekulativ për pakicën dhe një zonë ndëshkimi për shumicën.

Çmimet e qirave janë rritur në mënyrë absurde, ndërsa konviktet janë lënë në mjerim total.

Universitetet janë kthyer në struktura formale pa kampuse e pa mbështetje reale sociale. Dhe tani, kur kjo krizë shpërthen, përgjigjja e Ramës është zhvendosja.

“Reformatori” i madh i arsimit mjeran, e partisë-shtet nuk jep zgjidhje, por ofron në vend të saj deportimin.

Të çosh studentët në Durrës do të thotë të pranosh dështimin, por pa guximin për ta thënë hapur.

Do të thotë të godasësh në zemër jetën akademike për të ruajtur interesat e pastrimit të parave të pista që kanë ndotur vendin dhe për të mbrojtur fasadën fallco të suksesit urban të Tiranës së betonizuar.

Do të thotë të sakrifikosh brezin e ri, për të mbrojtur një model që ka falimentuar moralisht dhe funksionalisht.

Sepse problemi nuk është se studentët janë “shumë afër”.

Problemi këtu është se shteti është shumë larg.

Një sistem real e funksional nuk i largon studentët. Përkundrazi, i mban, i mbështet, investon tek ata.

Një sistem në rënie  e në degradim si ky i ndërtuar nga “mreti”, i sheh studentët si problem logjistik dhe jo si kapital kombëtar.

Ky lloj propozimi nuk është thjesht arsye debati për studentët.

Ai është pasqyra e një shteti që ka rënë e kërkon vetëm të shtyjë krizat për nesër.

Dhe çdo nesër e tillë vjen më e rëndë se e sotmja.

Prandaj ndalimi i marrëzisë kërkon reagim dhe është detyrë qytetare e studentore!