Ekspertja e edukimit dhe trajnimit, Gladiola Dona, ka theksuar se tregu i punës në Shqipëri po kalon një proces vetërregullimi, duke u orientuar gjithnjë e më shumë drejt profesioneve dhe zanateve praktike.
E ftuar në emisionin “Aldo Morning Show”, Dona u shpreh se mbingopja me diploma universitare, veçanërisht në juridik dhe ekonomi, si dhe emigrimi i teknikëve, kanë rritur kërkesën për profesionistë të kualifikuar, duke sjellë paga më të larta dhe mundësi më të shpejta punësimi në sektorët teknikë.
“Tregu po vetë rregullohet. Ne vijmë nga një sistem pak i prishur, i shformuar. Kemi prodhuar shumë juristë dhe shumë ekonomistë. Gjatë vitit 2010-2015 u hapën universitet pa fund, të cilat dhanë diploma jo shumë cilësore dhe po mendoj që tregu po vetë rregullohet tani drejt profesioneve. Ka disa vite që shkon drejt zanateve, sepse janë edhe zanate që japin rezultate më shpejt. Ti nuk ke nevojë që të nisësh si ndihmës jurist, të ngjitësh shkallët e karrierës për 10-15 vjet deri atje ku duhet dhe deri atje ku diploma ta premton.
Ndërkohë që elektricist, kamarier, banakier të fusin direkt në tregun e punës në nivelin më të lartë që ai treg ofron. Është një zgjidhje që e dikton tregu i punës, shumë teknikë kanë ikur jashtë për fat të keq, kështu që kërkesa është rritur dhe oferta është e ulët në treg. Kështu që detyrimisht edhe pagat janë rritur. Një elektricist që sapo ka filluar punën, nuk krahasohet me një jurist që sapo ka filluar punën, po të shikosh nivelin e pagës. Ka shumë profesione që po tjetërsohen dhe po ndryshohen nga teknologjia, kështu edhe një elektricist apo hidraulik mund të vazhdojë të mësojë dhe të bëhet mjeshtër i diçkaje tjetër”, tha ekspertja.







