SPAK kërkoi dënimin me 32 vite burgim për kreun e klanit kriminal Duka, Leonard Duka, i cili akuzohet për vrasjen e ish-policit Santjago Malko në 2018 në Tiranë.
Leonard Duka u shpreh në seancë gjyqësore se është i pafajshëm, duke deklaruar se ndaj tij nuk ekziston asnjë fakt konkret dhe se çështja është e montuar për ta dëmtuar. “Kam besim te drejtësia,” tha ai para gjykatës.
Nëna e viktimës Santiago Malko deklaroi Leonard Duka është përgjegjës për vrasjen e djalit të saj. Ajo kërkoi dënimin maksimal për të pandehurin, duke u shprehur se nuk kërkon burgim të përjetshëm, por dënim me vdekje.
Santjago Malko u ekzekutua nga klani kriminal Duka, pasi më herët ky klan kishte dështuar për të ekzekutuar Ervis Martinaj, i zhdukur pa gjurmë. Hetimet tregojnë se për shkak të përplasjes mes Martinaj dhe Dukës për lojërat e fatit Malko mori peng babain e Leonard e Erlis Dukës dhe e dhunoi. Kjo ngjarje, thelloi përplasjen mes palëve dhe u pasua edhe me ngjarje të rënda kriminale.







