Ballina Politika ‘KM ju trajton si kartona’/ Zhupa-Ballës: Ky parlament nuk ka asnjë rol...

‘KM ju trajton si kartona’/ Zhupa-Ballës: Ky parlament nuk ka asnjë rol përtej dëshirave dhe vullnetit të Edi Ramës

14
0

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar nëpërmjet fjalës së saj në Konferencën e Kryetarëve, duke iu përgjigjur kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, lidhur me vlerësimin e sesionit të kaluar parlamentar.

Zhupa e cilësoi “pafytyrësi” pretendimin se sesioni i kaluar ishte i suksesshëm dhe se opozitës i ishte dhënë hapësirë. Sipas saj, shifrat e përmendura nga Balla tregojnë të kundërtën, pasi mazhoranca ka folur më shumë jo për debat, por sepse kryeministri Edi Rama i ka trajtuar deputetët socialistë si “kartona” që vetëm miratojnë ligje pa diskutim.

“Opozita ka kërkuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve sipas rregullores dhe ju e shkelni. Kemi kërkuar mocione me debat për problemet e shqiptarëve dhe i mohoni. Kemi kërkuar interpelanca me kryeministrin dhe nuk i lejoni. Atëherë, për çfarë flisni?”, u shpreh Zhupa.

Deputetja demokrate kritikoi edhe projekt-kalendarin e punimeve të Kuvendit, duke theksuar se asnjë nga projektligjet e opozitës nuk ka një datë për shqyrtim, ndërsa datat janë caktuar vetëm për projektligjet e qeverisë dhe të deputetëve të mazhorancës.

Ajo solli si shembull edhe projektligjin e saj për pagat e mësuesve, i cili sipas saj mbahet në sirtar, pasi mazhoranca nuk guxon as ta rrëzojë dhe as ta miratojë.

“Ky është realiteti i një parlamenti që nuk respekton asgjë dhe që nuk ka asnjë rol përtej vullnetit të Edi Ramës”, përfundoi Zhupa.

Zhupa: 

Duhet të kesh guxim të tepruar dhe pafytyrësi të thuash që sesioni i kaluar ishte sukses dhe dhënie hapësire për deputetët e opozitës. Treguesi kohor që citon Balla, ku opozita ka folur 48 orë dhe mazhoranca 40 orë, tregon që paskeni folur shumë.

Sepse Edi Rama ju trajtoi si kartona dhe ushtarë pa personalitet, teksa ju tha: ju mos diskutoni, por vetëm miratoni projektligje. Edhe në këtë porosi, ku askush nga ju s’e kundërshtoi, ju ftoj që këtë sesion të flisni 4 orë gjithsej, sepse atë rol ua kanë dhënë: si kartona.

Opozita kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve sipas rregullores, ju e shkelni. Opozita kërkon mocion me debat për problemet e shqiptarëve, ju e mohoni. Opozita kërkon interpelanca me kryeministrin, ju s’i lejoni. Për çfarë flisni atëherë?

Mjafton të shikosh edhe këtë projekt-kalendar: asnjë nga projektligjet e deputetëve të opozitës nuk ka një datë për shqyrtim. Zero, asnjë, sa për sy e faqe. Data kanë vetëm projektligjet e qeverisë dhe ato të deputetëve tuaj, që nuk i kanë bërë as vetë, por i sjellin të qeverisë për të shmangur procesin e konsultimit publik.S’keni as guxim t’i fusni dhe t’i rrëzoni, sepse nuk thoni dot publikisht që kundërshtoni interesin qytetar.

Rri në sirtar projektligji im për pagat e mësuesve, heqja e 5-mijë lekëshit të kategorisë. Nuk e fusni, sepse nuk e rrëzoni dot, por as nuk e miratoni, sepse s’ju lë qeveria. Ky është realiteti i një parlamenti që nuk respekton asgjë dhe nuk ka asnjë rol përtej dëshirave dhe vullnetit të Edi Ramës