Kavajë/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Drawer”
Sekuestrohet 1 armë zjarri (pistoletë), e fshehur në një ndarje të posaçme (sirtar) ndërmjet dy sediljeve të automjetit, si dhe municion luftarak.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër armëmbajtjes pa leje, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas qarkullonte me automjet, i armatosur me armë zjarri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Drawer”.
Në kuadër të operacionit, në lagjen nr. 1, Kavajë, shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe ndaluar për kontroll automjetin që dyshohej se drejtohej nga një shtetas i armatosur me armë zjarri.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të automjetit, shërbimet e Policisë i gjetën të fshehura në një ndarje të posaçme (sirtar) ndërmjet dy sediljeve të automjetit një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Q. B., 39 vjeç, banues në Durrës.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për pasagjerin që ndodhej në automjet, shtetasin E. B., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Moskallëzim krimi”.







