Ballina Politika Tabaku: Rënia e eksporteve është kriza e vërtetë e ekonomisë, pasojë e...

Tabaku: Rënia e eksporteve është kriza e vërtetë e ekonomisë, pasojë e një modeli që ka dështuar

0
26

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin për rënien e vazhdueshme të eksporteve shqiptare, duke e cilësuar këtë zhvillim si simptomën më të qartë të dështimit të modelit aktual ekonomik.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet e saj sociale, Tabaku thekson se për të shtatin vit radhazi eksportet janë në rënie, ndërsa produktet “Made in Albania” nuk po arrijnë të shiten as në tregjet rajonale, as në ato europiane.

Sipas saj, vetëm gjatë këtij viti eksportet kanë rënë me 6.1%, me pasoja të drejtpërdrejta në tre sektorë kyç të ekonomisë shqiptare: bujqësinë, prodhimin fason dhe energjinë.

“Bujqësia ka tetë vite në stanjacion, fasonët që deri dje eksportonin në tregje ndërkombëtare sot nuk po shesin më, ndërsa sektori i energjisë po goditet rëndë nga mungesa e politikave mbështetëse,” nënvizon Tabaku.

Deputetja e PD e lidh këtë situatë jo vetëm me probleme strukturore të ekonomisë, por drejtpërdrejt me politikat e qeverisë: taksa të gabuara, mungesë vëmendjeje ndaj prodhimit vendas dhe zhvlerësimi i euros, i cili – sipas saj – ka ulur konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare me rreth 30% në tregjet ndërkombëtare.

“Rënia e eksporteve nuk është thjesht statistikë. Është krizë e biznesit, krizë e fermerëve, krizë e familjeve dhe në fund të ditës krizë e xhepave të qytetarëve shqiptarë,” thekson Tabaku, duke shtuar se kjo situatë po çon në mbylljen e bizneseve të vogla dhe në rritje të çmimeve për konsumatorët.
Në përfundim, ajo bën thirrje për ndryshim rrënjësor të modelit ekonomik: një model që punon për shumicën, që mbështet prodhimin dhe që krijon ekonomi reale dhe produktive.

“Jo modelin aktual, që ka shkatërruar ekonominë shqiptare,” përfundon deputetja Tabaku, duke riafirmuar veten si një nga zërat më kritikë dhe konsistentë të opozitës për çështjet ekonomike.