Nga Elton Qyno
Një katastrofë juridike ka ndodhur me rastin e gjyqtares së Posaçme Irena Gjoka, ku tashmë besueshmëria e institucionit shumë të përfolur në opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar është kthyer përmbys.
As në kohën e inkuzicionit nuk ka ndodhur që një gjyqtar i dënuar për një krim t’i dorëzohej çekiçi i Drejtësisë, për të dënuar dhe burgosur të tjerët.
Jo, kjo s’mund të tolerohet më. Aq më tepër në një institucion nga më të paguarit në vend, ku pritshmëritë janë të larta dhe mbi të gjitha standardi i gjykimit duhet të bazohet në të drejtat themelore të GJEDNJ-së dhe reciprociteti i palëve në proces.
Rasti në fjalë tregoi qartë se një gjyqtar i dënuar në Greqi dhe që i është fshehur për vite me radhë drejtësisë helene, ka dënuar në Shqipëri dhe burgosur qindra qytetarë, përfshirë edhe funksionarët kryesorë të opozitës shqiptare.
Çfarë kërkesa ka çuar Altin Dumani, ka miratuar gjyqtarja e dënuar Irena Gjoka në gjykatë.
Hyrja e Irena Gjokës në Gjykatën e Posaçme SPAK e ktheu atë në “Gijotinën” e Prokurorisë së Posaçme SPAK dhe “Vishinskin” e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, duke caktuar masa sigurimi “arrest në burg” për liderët kryesorë të opozitës në Shqipëri dhe duke gjykuar dosjet penale të kundërshtarëve politikë të Edi Ramës.
Por edhe pse kaloi me sukses procesin e “Vettingut”, letrat e Irena Gjokës u hapën dy vite më parë, pas denoncimeve mediatike dhe më pas deklaratave të liderëve politikë, duke cenuar pozicionin e saj dhe duke shpalosur para SPAK vendimin e dënimit të Irena Gjokës në Greqi.
Nga ana tjetër, Irena Gjoka doli dhe përgënjeshtroi lajmet, duke pretenduar se ajo në Greqi ishte e padënuar dhe, për të bindur opinionin publik dhe kolegët e saj, hodhi në media një vërtetim të nxjerrë nga Drejtësia Helene.
I zënë ngushtë nga polemika politike dhe debati publik, ish-kreu i SPAK, Altin Dumani, u detyrua të regjistronte një çështje penale në SPAK, për të kryer verifikime lidhur me dënimin ose jo të gjyqtares Gjoka në Greqi.
Çështja në SPAK është regjistruar në muajin qershor 2025 dhe prokurore e çështjes u caktua Dorina Bejko. Por teksa SPAK, nga qershor 2025 e deri në janar 2026, pretendonte se po kryente veprime hetimore, ditën e djeshme pusulla konfirmuese për dënimin e Irena Gjokës i shkoi nga sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme.
Për dënimin e saj në Greqi dhe kopjen e dosjes penale, Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar jo vetëm Këshillin e Lartë Gjyqësor, por ditën e djeshme njoftoi edhe Prokurorinë e Posaçme SPAK, që po ndjek rastin penalisht.
KLGJ për Irena Gjokën po kryen një hetim administrativ, ndërsa SPAK prej qershorit 2025 ka të hapur një hetim penal. Por tashmë SPAK është sërish i dyzuar për të çuar përpara hetimin e Irena Gjokës dhe komunikimin e akuzës së “Falsifikimit të formularit të vetëdeklarimit” nga gjyqtarja Gjoka.
Burime pranë SPAK thanë për gazetarin Elton Qyno se çështja nuk mund të çohet në gjykatë me të pandehurën Irena Gjoka, pasi vepra penale që ajo ka kryer ka kaluar afatin 5-vjeçar dhe krimi është parashkruar.
Irena Gjoka ka plotësuar formularin e vetëdeklarimit nr. 156 në datën 22 prill 2016, duke u përgjigjur se nuk ka qenë asnjëherë e dënuar në Shqipëri apo në ndonjë shtet të huaj. Nga 2016 deri në janar 2026 kanë kaluar gati 9 vite të plota. Ndërkohë, ndjekja penale e falsifikimit të formularëve e ka afatin e ndjekjes penale deri në 5 vjet.
Nisur nga këto kushte, SPAK pretendon se koha e ndjekjes penale ka përfunduar dhe Irena Gjoka nuk mund të ndiqet penalisht, edhe pse fakti penal u provua se ajo ka falsifikuar formularin e vetëdeklarimit.
Ndërkohë, nga ana tjetër, një jurist i njohur i tha gazetarit Qyno se rasti nuk është vetëm te fakti i ndjekjes penale ndaj Irena Gjokës, por edhe te bërja pis e çdo lloj standardi gjyqësor, nëse Gjoka vijon të qëndrojë gjyqtare.
Juristi, që kërkoi të qëndrojë anonim, sqaroi se SPAK nuk mund të fshihet pas parashkrimit të veprës penale, duke marrë si pikënisje datën 22 prill 2016, e cila është koha kur Irena Gjoka ka plotësuar formularin e deklarimit nr. 156.
Sipas juristit, ky dokument i falsifikuar është përdorur në KPA nga gjyqtarja Irena Gjoka deri më 14 qershor 2022, e cila është dita kur ajo ka marrë konfirmimin zyrtar për të qëndruar në detyrën e gjyqtares së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Përdorimi i këtij dokumenti të falsifikuar në vitin 2022 për të bindur anëtarët e KPA se ajo nuk ka qenë e dënuar shënon edhe afatin përfundimtar të kryerjes së veprës penale. Nga qershori 2022 deri në janar 2026 kanë kaluar vetëm 3 vjet e gjysmë dhe jo afati 5-vjeçar i parashkrimit të veprës penale.
Ndaj SPAK, për rastin e Irena Gjokës, nuk duhet të marrë si pikënisje periudhën 2016, kur është plotësuar formulari i vetëdeklarimit, por kohën e fundit kur është përdorur ky formular i falsifikuar, që është 14 qershori 2022.







