GJKKO dënoi me 30 vite burgim Leonard Dukën, kreun e klanit kriminal Duka. Ai u cilësua fajtor për akuzën e vrasjes së ish-policit Santiago Malko, i konsideruar si krahu i djathtë i Ervis Martinajt, mbreti i kumarit i zhdukur pa gjurmë prej 4 vitesh.
Erlis Duka, vëllai i Leonard Dukës, u cilësua i pafajshëm dhe masa e sigurisë për të u pushua.
Fatmir Hyseni, i njohur me nofkën Doqa, që sipas SPAK ishte në rolin e ekzekutorit, Aleksandër Manxhaku, Oltian Loga dhe Dritan Agaj u dënuan me nga 25 vite burgim secili.
Më herët, janë cilësuar fajtor dhe dënuar në dy procese të ndara Blendi Teta dhe Ilir Selmani.
Santiago Malko u ekzekutua në gusht të 2019, pasi klani Duka dështoi të vriste kundërshtarin e tyre të përbetuar Ervis Martinaj. Konfliktet mes tyre kishin lindur për lojërat e fatit dhe, ndër të tjera, Malko dyshohet se mori peng dhe dhunoi babain e Leonard dhe Erlis Dukës.



